Tenderi i SHSKUK-së në vlerë prej 7.6 milionë eurosh për furnizim me material medicinal për Ortopedi, që synonte vendosjen e protezave edhe nëpër spitale rajonale, ka lënë pa disa materiale edhe Klinikën e Ortopedisë në QKUK.
Tenderi, i hapur më 11 nëntor të vitit 2025, aktualisht ndodhet i bllokuar në OSHP, pas ankimimit për herë të dytë radhazi.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë vendimin e parë, më 10 shkurt, OSHP-ja kishte kërkuar nga SHSKUK-ja të përmirësojë dosjen e tenderit, pasi kishte konstatuar se kriteret dhe specifikat teknike nuk ishin të harmonizuara me Listën esenciale.
Megjithatë, lënda u ankimua përsëri nga e njëjta kompani në fillim të muajit mars, me pretendimin se korrigjimet e kërkuara në LOT-in 1 dhe LOT-in 3 nuk ishin bërë dhe se SHSKUK-ja kishte vendosur sërish kritere favorizuese.
“Nuk është zbatuar vendimi i OSHP-së, e jo vetëm që nuk është zbatuar, por janë shtuar edhe disa kërkesa/specifikime të tjera kufizuese. Gjatë analizimit të specifikimeve teknike edhe te formulari standard për korrigjimin e gabimeve në njoftimet e publikuara, kemi vërejtur se specifikimet të cilat i kemi konstatuar në kërkesën paraprake për rishqyrtim nuk janë ndryshuar, prandaj këto specifikime janë në kundërshtim me Listën esenciale, kështu që kërkojmë që të harmonizohen këto specifikime me ato të Listës esenciale”, thuhet në ankesën e kompanisë “Ortho-Implants”.
Paneli shqyrtues i OSHP-së kishte konstatuar se SHSKUK-ja, në disa raste, kishte vendosur kufizime duke kërkuar madhësi strikte, e në disa raste nuk kishte specifikuar fare madhësitë, duke diskriminuar dhe kufizuar konkurrencën.
Pretendimet për mospërmirësim të dosjes së tenderit kanë lënë hapësirë që operatorët ekonomikë të ankohen sërish në marsin e këtij viti.
E vetë SHSKUK-ja kur hapi tenderin në nëntor të vitit 2025, kishte kërkuar përshpejtim të procedurave, duke theksuar urgjencën për mbylljen sa më të shpejtë me kontratë të këtij aktiviteti të prokurimit.
Në dosje theksohej se pacientët po detyrohen t’i blejnë vetë materialet e nevojshme, gjë që ka ndikuar edhe në rritjen e listës së pritjes.
“Duke marrë parasysh se në përbërje të kësaj kërkese përfshihen materiale nga trauma ortopedike dhe spinale, si dhe proteza, kërkojmë që procedurat përkatëse të përshpejtohen. Kjo kërkesë bëhet për shkak të mungesës aktuale të këtyre materialeve, e cila po ndikon drejtpërdrejt në trajtimin e pacientëve – shumë prej tyre po detyrohen t’i blejnë vetë materialet e nevojshme. Gjithashtu mungesa e protezave po pengon realizimin e operacioneve të planifikuara, duke shkaktuar rritje të listës së pritjes”, thuhet në dosje.
Në Klinikën e Ortopedisë konfirmuan se për shkak të bllokimit të tenderit për blerjet e reja, aktualisht ka mungesa të disa llojeve të protezave të kërdhokullës dhe gjurit.
“Lidhur me blerjen e materialeve nga pacientët institucioni është duke punuar që trajtimi i pacientëve të realizohet në kuadër të furnizimeve institucionale dhe të minimizohet nevoja që pacientët të sigurojnë vetë materialet”, ka thënë Xhavit Gashi, drejtor i Klinikës së Ortopedisë.
E në përgjigjen që ka dhënë zyra e prokurimit e SHSKUK-së thuhet se institucioni ka respektuar vendimin e OSHP-së duke bërë ndryshimet dhe korrigjimet e kërkuara.
Klinika e Ortopedisë është ndër ato me numrin më të madh të pacientëve në pritje për vendosje të protezave të gjurit dhe të kërdhokullës.
Në listën e pritjes figurojnë pacientë që nga viti 2020.