Arbëri

Ndërtimi i Klinikës së Ortopedisë me mangësi të pafundme

Projekti për ndërtimin e Klinikës së Ortopedisë në QKUK, i nisur në vitin 2018 dhe i paraparë të përfundojë në janar 2021, është zvarritur deri në tetor të vitit 2024. Në raportin e auditimit, të bërë nga ZKA-ja theksohet se projekti është shoqëruar me mungesë të analizës paraprake, procedura të dobëta prokurimi dhe mangësi në monitorim të kontratës. Më këto vërejtje është pajtuar SSHKUK-ja

“Mungesë e analizës paraprake, dobësi të theksuara në procedurat e prokurimit dhe mangësi serioze në monitorimin e kontratës”, janë vetëm disa nga gjetjet e raportit të Zyrës Kombëtare e Auditimit për projektin e ndërtimit të Klinikës së Ortopedisë në QKUK.

Ky projekt pati filluar në vitin 2018, por deri në tetor të vitit 2024 nuk ishte finalizuar.

E në raportin e ZKA-së theksohet se pavarësisht se kompania fituese nuk kishte përvojë në projektim, QKUK-ja e kishte shpërblyer me kontratë kompaninë projektuese.

“Sipas dosjes së tenderit, kompania duhej të kishte përvojë në projektimin e të paktën një objekti shëndetësor, ndërsa Menaxheri i kontratës duhej të kishte hartuar të paktën dy projekte spitalore. Kompania përfituese nuk ka ofruar dëshmi për përvojën e kërkuar në projektimin e objekteve shëndetësore. Po ashtu, Menaxheri i kontratës nuk ka dokumentuar përvojën në dy projekte spitalore, siç kërkohej. QKUK-ja si autoritet kontraktues kishte pranuar dokumentacion referues, por jo dëshmi konkrete (si kontrata apo projekte të përfunduara) që dëshmojnë përmbushjen e kritereve. Pavarësisht kësaj, QKUK-ja e kishte shpërblyer me kontratë kompaninë projektuese”, thuhet në raport.

Një tjetër problem madhor që thekson raporti i ZKA-së është se kontratat janë nënshkruar pa prezencën e menaxherit të kontratës, ndërsa janë bërë pagesa të mëdha pa nënshkrimin apo pa raportin e menaxherit.

“Për shkak të menaxhimit jo të duhur, janë evidentuar tejkalime të sasive në vlerë prej 75,459 euro pa miratim paraprak të menaxhmentit. Gjithashtu, kemi konfirmuar se janë kryer tri pagesa për kontratën përkatëse, në vlerë mbi 255 mijë euro, pa nënshkrimin dhe raportin e menaxherit të kontratës. Këto pagesa janë ekzekutuar gjatë periudhës kur menaxherja e kontratës ka qenë jashtë detyrës. Gjatë kësaj periudhe nuk është emëruar ndonjë menaxher zëvendësues, dhe si rezultat, pranimi teknik dhe pagesat janë realizuar vetëm mbi bazën e raportit të pranimit nga komisioni i pranimit i themeluar enkas për të zëvendësuar menaxherin e kontratës”, thuhet në raport.

ZKA-ja ka identifikuar gjithashtu probleme serioze në ruajtjen e dokumentacionit nga QKUK-ja.

“Operatori Ekonomik i diskualifikuar si i papërgjegjshëm ka qenë më i lirë se kompania fituese për 5,493 euro apo për 29%. Sipas raportit të vlerësimit, kjo kompani është shpallur e papërgjegjshme për arsye se nuk kishte sjellë dy dosje origjinale si dhe nuk kishte plotësuar disa kritere të tjera. Ne kemi kërkuar vlerësimin e dosjes ofertuese nga kjo kompani, mirëpo këtë dosje zyrtarët nuk ishin në gjendje të gjejnë fizikisht. Ndërkaq, në formë elektronike nuk është për arsye se është procedurë e vitit 2018 dhe e-prokurimi nuk ka qenë funksional në atë kohë”, thuhet në raport.

Në raportin e saj, ZKA-ja thekson se këto mangësi kanë prodhuar pasoja serioze në kohëzgjatjen dhe koston e projektit.

Pra, kosto totale e projektit nga 2.21 milionë sa është menduar se do të jetë, është rritur në 2.57 milionë që përbën rritje prej 16% krahasuar me kontratën fillestare.

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës ka pranuar raportin e ZKA-së dhe është pajtuar me gjetjet, duke deklaruar se nuk kanë komente dhe se e pranojnë përgjegjësinë për mangësitë e evidentuara.

KOHA ka adresuar pyetje në SHSKUK dhe QKUK tash e sa ditë në lidhje me gjetjet e raportit të ZKA-së, por nuk ka marrë përgjigje.