Arbëri

Auditimi 7-vjeçar evidenton mangësi dhe rritje kostosh në projektin e SHSKUK-së

Nga buxhetimi e deri te tenderimi, ndërtimi i objektit për dy klinikat brenda QKUK-së është shoqëruar nga një sërë parregullsish. Zyra Kombëtare e Auditimit ka konstatuar se projekti është menaxhuar me mungesë kontrolli dhe transparence, duke gjetur parregullsi që kanë ndikuar edhe në rritjen e kostos së ndërtimit të Klinikave të Nefrologjisë dhe Hemato-Onkologjisë

Mangësi në procesin e buxhetimit, të tenderimit dhe të menaxhimit të fondeve ka evidentuar Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në procesin e ndërtimit të objektit për klinikat e Nefrologjisë dhe Hemato-Onkologjisë gjatë auditimit shtatëvjeçar të këtij projekti.

Sipas raportit, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar (SHSKUK) ka pasur mospërputhje në planifikimin buxhetor për ndërtimin e objektit për këto klinika, duke përfshirë ndryshime të shpeshta në vlerësimin e kostos. 

Në ZKA kanë theksuar që ndonëse projekti fillimisht është planifikuar për një objekt të vetëm, buxhetimi për vitet 2024 dhe 2025 është bërë për secilën klinikë ndaras, si dy projekte të veçanta.
“Kjo kishte ndodhur si rezultat i mungesës së kontrolleve të brendshme, mungesës së harmonizimit ndërmjet buxhetimit të projektit për një objekt të vetëm. Po ashtu, mungesa e kontrolleve të brendshme dhe koordinimit ka bërë që buxhetimi të vazhdojë ndaras për dy klinikat, pavarësisht ndryshimeve në projektim. Ndikimi: Për vitin 2025, buxheti për ndërtimin e Klinikës së Nefrologjisë është 3.750,000 €, ndërsa për ndërtimin e Klinikës së Hemato-Onkologjisë është 3.750,000 €, duke krijuar një rrezik të mbivlerësimit të fondeve duke mos i shfrytëzuar mjetet e mbetura”, thuhet në raportin e ZKA-së për ndërtimin e objektit për klinikat Nefrologji dhe Hemato-onkologji.

Në mesin e pesë mangësive, ZKA-ja ka identifikuar një edhe në procesin e vlerësimit të ofertës gjatë tenderimit.

“Është evidentuar mospërputhje në mes të dokumentacionit teknik të projektit dhe krahasimit me paramasën. SHSKUK-ja nuk ka zbatuar në mënyrë të plotë kërkesat ligjore gjatë procesit të vlerësimi të ofertave në procedurën e prokurimit për këtë kontratë. Gjatë menaxhimit të fondeve të projektit janë evidentuar parregullsi që ndikojnë në pasqyrimin jo të saktë të shpenzimeve”, thuhet në raport.

SHSKUK-ja ka pranuar raportin dhe në përgjigjen e saj për ZKA-në, për një gjetje është pajtuar plotësisht, për një pjesërisht dhe për një tjetër nuk është pajtuar.

Lidhur me raportin, KOHA i ka dërguar pyetje SHSKUK-së, porse gjatë ditës nuk ka pranuar përgjigje.

Në vitin 2022, KOHA ka raportuar se SHSKUK-ja pati kontraktuar ndërtimin e këtij objekti pa leje ndërtimi nga Komuna e Prishtinës. E në vitin 2023, SHSKUK-ja e ka ndërprerë kontratën rreth 2.8 milionë euroshe, duke e lidhur një të re, për vlerë afro 2 milionë më të lartë.