Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Elvir Azizi edhe katër vjet në krye të SHSKUK-së, Bordi ia liston sukseset e nuk ia përmend dështimet

Elvir Azizi

Elvir Azizi e ka drejtuar prej katër vjetësh Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar, gjatë së cilës periudhë KOHA vazhdimisht ka raportuar për mungesë barnash, lista të gjata të pritjes për operime, vonesa në marrjen e trajtimit e për mungesë stafi në klinika.

Por, Bordi i këtij institucioni e ka vlerësuar pozitivisht performancën e Azizit dhe ia ka vazhduar mandatin edhe për katër vjet të tjerë.

Sipas Bordit, gjatë periudhës 2023–2025, SHSKUK-ja ka shënuar progres të dukshëm në shumicën e treguesve kryesorë të performancës.

“Numri i pacientëve të shtrirë/hospitalizuar është rritur për 11.9%, numri i operimeve për 12.5%, vizitat ambulatore për 24.6%, shërbimet laboratorike për 20.5%, ekzaminimet CT për 12.7%, ndërsa ekzaminimet MRI kanë shënuar rritje prej 71%. Gjithashtu, është rritur edhe volumi i shërbimeve të kardiologjisë invazive, me 11.9% më shumë koronarografi dhe 13.3% më shumë implantime të stentave”, thuhet në njoftimin e SHSKUK-së.

Një ditë më parë, të hënën, KOHA ka raportuar se pacientët me kancer të avancuar të gjirit kanë mbetur tash e dy muaj pa terapinë e nevojshme, e cila në tregun privat kushton deri në 1.900 euro.

Edhe SHSKUK-ja s’i dëgjon ankesat e pacientëve, insiston se ka furnizim me ilaçe Arbëri SHSKUK-ja s’i dëgjon ankesat e pacientëve, insiston se ka furnizim me ilaçe

Ndërkaq, javën e shkuar, ka raportuar edhe se në Klinikën e Ortopedisë, pritja për vendosjen e protezës së gjurit zgjat deri në pesë vjet, ndërsa në Kirurgjinë Abdominale pacientët presin deri në gjashtë muaj për operim.

Së fundmi, SHSKUK-ja për disa javë ka mbetur edhe pa penj kirurgjikë që përdoren në operime, dhe zgjidhjen e ka bërë me tender emergjent, duke i kontraktuar disa lloje dyfish më shtrenjtë sesa çmimi në barnatore.

Ndërkaq, vitin e shkuar, institucioni që e drejton Azizi nuk i ka ndarë për më shumë se një vit pajisjet ndihmëse për personat e paralizuar, të blera shumë më shtrenjtë sesa çmimi i tregut.

Në komunikatën për media të lëshuar nga Bordi i SHSKUK-së nuk janë përmendur mungesat. Në të janë listuar projekte që janë përshkruar si arritje gjatë mandatit të kaluar të Azizit.

Edhe Miratohet raporti i punës së SHSKUK-së për 2025, s’u kërkua llogari për mungesat dhe problemet e pacientëve Arbëri Miratohet raporti i punës së SHSKUK-së për 2025, s’u kërkua llogari për mungesat dhe problemet e pacientëve

“Në këtë periudhë janë realizuar projekte të rëndësishme zhvillimore dhe strategjike, përfshirë funksionalizimin e Cath Lab-it në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit, investimet në Mjekësinë Nukleare, zgjerimin e kapaciteteve të Kardiokirurgjisë, hapjen e shërbimeve të reja në spitalet e përgjithshme, zhvillimin e programit të fertilizimit të asistuar (IVF), investimet në Qendrën Stomatologjike Universitare të Kosovës, si dhe forcimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë LuxDev dhe GIZ”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe nga vlerësimi i Bordit, Zyra Kombëtare e Auditimit ka evidentuar mangësi në planifikimin buxhetor, procesin e tenderimit dhe menaxhimin e fondeve. Sipas raportit, SHSKUK-ja u ka dhënë kontrata edhe operatorëve ekonomikë të papërgjegjshëm.