Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Dyshime të reja për tenderin e objektit të Ministrisë së Bujqësisë

Pompa Patroni - rrezimi per objektin e ri te Ministrise

Ndërtimi i objektit të ri për Ministrinë e Bujqësisë ka përfunduar sërish në Organin Shqyrtues të Prokurimit, pas ankesave të reja për shkelje ligjore e kritere të dyfishta. Përderisa kompanitë garuese përplasen në Gjykatën e Tenderëve, Ministria vazhdon të mbetet me qira, që buxhetit të shtetit, që nga viti 2019, i ka kushtuar mbi 3.4 milionë euro

Tenderi për ndërtimin e objektit të Ministrisë së Bujqësisë ka përfunduar sërish në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) nën dyshime për shkelje.

Ministria në fund të majit ka shpërblyer me kontratë kompaninë “R&Rukolli” në vlerë mbi 7 milionë euro, për të cilën fillimisht kishte konstatuar se nuk e ka ofertën në përputhje me kërkesat e dosjes së tenderit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Shpallja e saj fituese u bë pas vendimit për rivlerësimit nga Organit Shqyrtues të Prokurimit, i cili konstatoi se oferta e kompanisë ishte e përgjegjshme për këtë aktivitet të prokurimit.

Por, me këtë nuk është pajtuar kompania që fillimisht ishte rekomanduar për kontratë, “BM Group”, e cila pak ditë më parë ka deponuar ankesë në OSHP me pretendime për eliminim të padrejtë dhe shkelje të ligjit të prokurimit.

Oferta e “BM Group” është për rreth 400 mijë euro më e lartë sesa ajo e “R&Rukolli”.

“Në dosjen e tenderit është kërkuar në mënyrë të qartë angazhimi i fasader moler, si profil specifik profesional. Në ofertën tuaj janë paraqitur dy persona të ndryshëm, i cili nuk përputhet me kërkesën specifike në Dosjen e tenderit. Autoriteti kontraktues dhe Paneli Shqyrtues kanë aplikuar standarde të ndryshme vlerësimi për operatorë ekonomikë të ndryshëm, në kundërshtim me nenin 7 të Ligjit të Prokurimit Publik”, thuhet në ankesën e “BM Group”.

Por, Paneli Shqyrtues në vendimin ndaj ankesës që kishte bërë “R&Rukolli” për eliminim nga tenderi kishte konstatuar se angazhimi i dy personave është barrë që mund t’i vihet operatorit ekonomik e jo autoritetit kontraktues dhe se për këtë nuk do të paraqitej ndonjë problem teknik.

Në ankesë thuhet se kompania e rekomanduar nuk ka ofruar plan dinamik që i përmbush kërkesat e Dosjes së Tenderit, gjë që është cekur edhe në vendimin e parë për shpallje administravisht të papërgjegjshme.

Por, edhe ky pretendim është trajtuar herën e kaluar nga OSHP-ja.

“Nuk ka ndonjë bazë ligjore sepse operatori ekonomik-ankues, ka ofruar, ndarje sipas fazave (arkitekturë, elektrikë, makineri, hidroteteknik), po ashtu ka shpërndarje kohore, andaj Paneli Shqyrtues e mbështet ekspertin shqyrtues i cili ka konstatuar se plani i ofruar nga OE ankues i përmbush kriteret minimale të përcaktuara në dosje të tenderit”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Ankesat e shumta si për dosjen e tenderit, ashtu edhe kundër rekomandimeve të operatorëve ekonomik kanë zvarritur nisjen e punimeve në realizimin e këtij projekti, për të cilin janë paraparë 8 milionë euro.

Në tenderin e shpallur në tetor të vitit të kaluar aplikuan 14 kompani, por se 13 nga to u shpallën të papërgjegjshme administrativisht.

Derisa të përfundojë ky projekt, Ministria e Bujqësisë do të vazhdojë të qëndrojë me qira. Që nga 2019, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, vetëm për qira janë shpenzuar mbi 3.4 milionë euro.