Ministria e Bujqësisë, ndonëse paraprakisht kishte premtuar vazhdimin e kontratës, formoi komisione për të shqyrtuar ofertat për objekt me qira. Nga nëntë ofertat e pranuara, komisioni përkatës vlerësoi se kriteret i plotësoi vetëm kompania, në objektin e së cilës gjendet Ministria që nga viti 2019
Ministria e Bujqësisë formoi dy komisione për të shqyrtuar ofertat për marrje të një objekti me qira, ndonëse shtatë muaj më parë, përmes një komunikimi zyrtar, ia kishte premtuar kompanisë - objektin e së cilës e shfrytëzon - vazhdimin e kontratës.
Në fund, nga nëntë ofertat e pranuara, Komisioni Vlerësues konstatoi se vetëm ajo e kompanisë - së cilës i ishte premtuar vazhdimi i kontratës - i plotësonte kriteret.
“Oferta 9 përmbush kriteret e lokacionit, hapësirës akomoduese, organizimit në kate, ashensor, internet, klimë, gjenerator, parking, hapësirë për arkivim 200 metra katrorë (i vetmi). Në bazë të këtyre ofertave komisioni konstaton se oferta 9 i plotëson kriteret e vendosura nga njësia kërkuese dhe propozojmë që të vazhdohet me procedurat e tjera”, thuhet në Raportin e Komisionit Vlerësues.
Komisioni për vlerësimin e çmimeve të tregut është themeluar në mes të qershorit të këtij viti dhe në fund të këtij muaji ishte nxjerrë raporti vlerësues. Të gjitha ofertat e pranuara nga Komisioni ishin me çmim më të ulët sesa ajo me të cilën Ministria ka lidhur marrëveshje.
Sipas komunikimeve të brendshme të siguruara nga KOHA, përfaqësues të kompanisë “A2Group”, në ndërtesën e së cilës ndodhet Ministria e Bujqësisë, më 29 korrik deklaruan se qysh para 7 muajve u është konfirmuar se Ministria do të qëndrojë në objekt edhe për një vit.
“Ne e kemi konfirmimin e 7 muajve më herët se ju do të qëndroni në objekt edhe për 1 vit. Andaj juve ju mbetet të pranoni kushtet e njëjta ose lironi objektin”, thuhet në e-mailin e datës 29 korrik 2025 nga kompania “A2Group”.
E në këtë komunikim, sekretarja e Ministrisë, Venera Çerkini, konfirmon dakordimin që kontrata e re të jetë edhe më afatgjate.
“Nga ana jonë, interesi për vazhdimin e bashkëpunimit mbetet i lartë dhe sinqerisht i qëndrueshëm. Tashmë jemi dakorduar që kontrata e re të jetë afatgjate, përtej një viti dhe ju njoftoj se njësoj si herën e kaluar, kontrata mund të nënshkruhet një ditë para datës 1 shtator. Kjo është vetëm një çështje teknike dhe nuk ndikon aspak në marrëveshjen substanciale ndërmjet palëve”, thuhet në emailin e sekretares së Ministrisë së Bujqësisë, Venera Çerkini, të datës 29 korrik 2025.
Në një nga komunikimet, sekretarja e përmend mundësinë që në kontratën e ardhshme të përfshihet edhe kati i 9-të, por që në fund nuk është lënë jashtë.
KOHA ka kërkuar sqarime nga Ministria se pse janë formuar komisione për shqyrtim të ofertave nëse paraprakisht ka pasur dakordim për vazhdim të kontratës, por gjatë së hënës nuk ka marrë përgjigje.
Ministria e Bujqësisë shfrytëzon të njëjtin objekt që nga vitit 2019.