Ministria e Bujqësisë do të qëndrojë në objektin ku është deri në janar të vitit 2027, duke paguar edhe 809 mijë euro nga buxheti i shtetit. Me aneks-kontratën e nënshkruar në shtator të këtij viti, qiraja mujore e ministrisë është rritur nga 27.300 euro në 47.600 euro. Ministria ka marrë në shfrytëzim edhe hapësira shtesë, e po ashtu do të paguajë edhe për depo e gjenerator
Zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë do të vazhdojnë të qëndrojnë së paku deri në fund të janarit të 2027-s në objektin ku janë të akomoduar që nga viti 2019, duke paguar kështu edhe rreth 809 mijë euro nga buxheti i shtetit.
Ani se në aneks-kontratën e 2023-tës qiraja mujore ishte përcaktuar 27 mijë e 300 euro, me aneksin e ri të nënshkruar në fillim të shtatorit, ajo është rritur për 20 mijë euro, konkretisht 47 mijë e 600 euro në muaj.
Kjo ministri ka marrë në shfrytëzim edhe 1 mijë metra katrorë, të cilat më parë janë shfrytëzuar nga Agjencia për Zhvillim e Bujqësisë.
Ministria e ka arsyetuar këtë me nevojat shtesë të institucionit, duke thënë se edhe më herët ka shfrytëzuar hapësira që ishin të paguara nga AZHB-ja.
“MBPZHR-ja e ka shfrytëzuar edhe katin e 7-të të objektit, i cili është paguar nga Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB). Ndërsa për shkak të rrethanave të reja, ku Ministrisë i është bashkëngjitur edhe Departamenti Qendror i Inspektoratit për Pylltari dhe Gjueti me 12 inspektorë, si dhe zëvendësministri me stafin e tij, kanë kaluar nga kati i 9-të në katin e 8-të. Ne si MBPZHR jemi detyruar ta merrnim në përdorim edhe katin e 8-të”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.
Bazuar në dokumentin që posedon KOHA, Ministria e Bujqësisë do të paguajë 1 mijë e 600 euro për një depo për arkivim të dokumentacionit zyrtar prej 200 metrave katrorë, e të cilën në kontratën e kaluar e ka shfrytëzuar pa pagesë.
Përveç kësaj, i është shtuar edhe qiraja mujore prej 500 eurosh për një gjenerator.
“Qiramarrësi obligohet që në emër të shfrytëzimit nga nen 1, paragrafët 1 dhe 2 të kësaj aneks-kontrate, t’ia paguajë qiradhënësit shumën mujore bruto 47 mijë e 600 euro, në emër të qirasë, infrastrukturës përcjellëse – nyjës sanitare, furnizim me energji elektrike pa ndërprerje, parkingjet për vetura, rrjetit kabllovik dhe telefonisë fikse”, thuhet në aneks-kontratën e nënshkruar në shtator të këtij viti.
KOHA ka raportuar se si Ministria ia ka premtuar vazhdimin e kontratës kompanisë, në objektin e të cilës është e akomoduar tash e sa vjet, e më pas edhe ka formuar komisione për të marrë oferta të tjera.
Në bazë të komunikimeve të brendshme, Komisioni fillimisht ka marrë oferta e më pas janë caktuar kriteret.
Kriteret janë hartuar me kërkesë të sekretares së përgjithshme të kësaj Ministrie, Venera Çerkini, brenda një ore, e të njëjtën ditë është formuar edhe komisioni për shqyrtim të ofertave bazuar në ato kritere.
Sipas Ministrisë, i gjithë procesi është zhvilluar në kushte urgjente në mungesë të një objekti shtetëror për akomodimin e zyrtarëve të saj.
“Kriteret e përcaktuara kanë qenë bazike dhe të lidhura ngushtë me nevojat funksionale të institucionit (sipërfaqja, kushtet teknike, qasja, siguria, etj.). Komisioni është formuar për të mbledhur dhe vlerësuar ofertat mbi këto kritere. Kjo është bërë për arsye të transparencës dhe për të siguruar krahasueshmëri reale me tregun. Vetëm pas pranimit të disa ofertave është kërkuar edhe nga kompania ku aktualisht jemi të akomoduar që të japë ofertën e saj, në mënyrë që të kemi një bazë krahasuese dhe të njëjtit të vlerësohen objektivisht në raport me tregun dhe me ofertat e tjera”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Bujqësisë.
Në fakt, tri komisione nuk kanë pranuar që t’i shqyrtojnë këto oferta, tek i katërti e ka bërë një gjë të tillë, duke vendosur për objektin ku ndodhet ministria që nga 2019-ta.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, nga viti 2019 për qira të objektit që shfrytëzon ky dikaster dhe Agjencia për Zhvillim të Bujqësisë deri muaj më parë, janë shpenzuar 3 milionë e 379 mijë euro.