Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Muja: Ministria e Bujqësisë shpenzoi pa nevojë mbi 1 milion euro qira në vit

Armend Muja

Ministri i Bujqësisë, Armend Muja, ka paralajmëruar se Ministria që ai e drejton ka paguar pa nevojë me miliona euro për qiranë në një objekt privat në Prishtinë, ku është e vendosur administrata. Gjatë mandatit të shkuar, Ministria ka kontraktuar qira për këtë objekt deri në janar të 2027-s. Sipas të dhënave të KOHËS, deri tash për këtë qira janë paguar 3.4 milionë euro

Mbi 2.5 milionë euro të taksapaguesve janë shpenzuar nga Ministria e Bujqësisë që nga viti 2021 për qira të objektit privat, ku janë akomoduar zyrtarë të saj dhe të Agjencisë për Zhvillim të Bujqësisë.
Ministri Armend Muja i ka quajtur të panevojshme shpenzimet e Ministrisë, e cila gjatë mandatit të kaluar është udhëhequr nga kolegu i tij në koalicion, Faton Peci. 

Ai ka njoftuar se ka nënshkruar vendimin që do ta kursejë buxhetin e Ministrisë me rreth 1 milion euro në vit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Sot kam nënshkruar një vendim për racionalizimin e hapësirave administrative në Ministrinë e Bujqësisë. Ky vendim hap rrugën për zhvendosjen e Ministrisë dhe institucioneve vartëse në objekte publike, duke shfrytëzuar pronën e shtetit dhe duke iu dhënë fund kostove të panevojshme të qirasë. Po ashtu, po krijojmë qendra të integruara për shërbime bujqësore, që do të ofrojnë shërbime më të organizuara, më të shpejta dhe më afër fermerit”, ka theksuar ministri Muja.

Mjetet e kursyera, sipas tij, do të kthehen në investime konkrete si mbështetje për prodhimin vendor dhe për fermerët, në investime në mekanizim dhe teknologji bujqësore, në zgjerimin e ujitjes dhe rritjen e produktivitetit, si dhe në mbështetje për të rinjtë dhe për gratë në bujqësi.

KOHA ka raportuar në tetor se Ministria e Bujqësisë do të qëndrojë në objektin ku është deri në janar të vitit 2027, duke paguar edhe 809 mijë euro nga buxheti i shtetit. 

Me aneks-kontratën e nënshkruar në shtator të 2025-tës, qiraja mujore e Ministrisë është rritur nga 27.300 euro në 47.600 euro, pasi që Ministria ka marrë në shfrytëzim edhe hapësira shtesë që më herët shfrytëzoheshin nga Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, e po ashtu do të paguajë edhe për depo e gjenerator.

KOHA ka raportuar se si Ministria ia ka premtuar vazhdimin e kontratës kompanisë, në objektin e së cilës është e akomoduar tash e sa vjet, e më pas edhe ka formuar komisione për të marrë oferta të tjera. 

Në bazë të komunikimeve të brendshme, komisioni fillimisht ka marrë oferta e më pas janë caktuar kriteret.

Kriteret janë hartuar brenda një ore me kërkesë të sekretares së përgjithshme të kësaj Ministrie, Venera Çerkini, e të njëjtën ditë është formuar edhe komisioni për shqyrtim të ofertave bazuar në ato kritere. 

Sipas Ministrisë, i gjithë procesi është zhvilluar në kushte urgjente në mungesë të një objekti shtetëror për akomodimin e zyrtarëve të saj.

Në fakt, tri komisione nuk kanë pranuar që t’i shqyrtojnë këto oferta, ndërsa tek i katërti e ka bërë një gjë të tillë, duke vendosur për objektin ku ndodhet Ministria që nga 2019-a.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, nga ky vit për qira të objektit që shfrytëzon ky dikaster dhe ku ishte deri në prillin e vjetëm Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë janë shpenzuar mbi 3.4 milionë euro.