Arbëri

Kallasi nuk jep shenja se do ta ketë prioritet dialogun Kosovë-Serbi

Kaja Kallas

Gjatë debatit tre-orësh Kallasi vetëm duke u përgjigjur në pyetjen e fundit rreth situatës në Bosnje e Hercegovinë ka përmendur dialogun.

Kandidatja për pasardhëse të Josep Borrellit, Kaja Kallas nuk ka dhënë shenja se do ta konsiderojë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë si prioritet, edhe pse pritet që pikërisht ajo të vendosë për qasjen që Bashkimi Evropian do ta ketë ndaj këtij procesi. Shefja e ardhshme e diplomacisë së BE-së gjatë ditës së sotme u është përgjigjur për tri orë pyetjeve të deputetëve të Parlamentit Evropian në Komisionin e Politikës së Jashtme në seancën ku ajo duhet të konfirmohet në postin e ri.

Pothuajse nuk mbeti pjesë e botës pa u përmendur, ose në fjalimin e saj ose në pyetjet e shumta të deputetëve, përveç Ballkanit Perëndimor. Ky rajon u përmend vetëm në aspektin e përgjithshëm të nevojës së rezultateve konkrete në procesin e zgjerimit për çka Kallasi ka thënë se do të angazhohet.

Krejt në fund të debatit, pyetja drejtuar Kallasit ishte për Bosnje e Hercegovinën dhe këtë e bëri deputetja kroate Zheljana Zovko. Vetëm në përgjigjen në këtë pyetje, Kallasi përmendi dialogun si një prej dy shtigjeve përmes së cilave do të punojnë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Ballkani Perëndimor është rajon shumë i rëndësishëm dhe shumë afër kufijve tanë. Kemi dy shtigje që të punojmë atje, i pari është zgjerimi ku duhet të punojmë me komisioneren për zgjerim. Siç thash më herët ne vërtetë duhet të kemi tregim suksesi në pesë vjetët e ardhshme sepse kjo nuk është vetëm për prosperitetin e rajonit, por edhe për t’i dhënë shpresë rajonit”, ka thënë ajo.

“Shtegu i dytë është dialogu Beograd-Prishtinë ku të gjithë paraardhësit e mi kanë investuar shumë kohë për të sjell stabilitet në rajon”, ishte krejt çka tha Kallasi për dialogun në seancën që zgjati më shumë se tri orë.

Kallasi ka thënë se zgjerimin e Bashkimit Evropian duhet parë si proces strategjik i cili forcon edhe BE-në dhe sjell dobi për vendet që synojnë anëtarësimin. Ajo u shpreh se është e nevojshme që në pesë vjetët e ardhshme të ketë rezultate konkrete në zgjerim dhe premtoi se do të angazhohet në bashkëpunim me komisioneren e zgjerimit që kjo të bëhet realitet.