Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka thënë se proceset e shpeshta zgjedhore kanë ndikuar në shtyrjen e një raundi të ri të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në nivel liderësh.

Ajo tha se kishte pajtueshmëri nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq për takim, porse tash në Kosovë po afron një cikël i ri zgjedhjesh, çka sipas saj, e shtyn procesin.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Ne në fakt kishim planifikuar dialogun Beograd-Prishtinë në nivel të lartë politik. Kisha marrë pajtimin nga të dy liderët, si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia, por tani në Kosovë po afrohen sërish zgjedhjet, gjë që natyrisht e shtyn këtë proces”, ka thënë ajo para gazetarëve, para nisjes së takimit me ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor dhe të Evropës.

Kallas megjithatë ka thënë se po punon me palët lidhur me zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tash nga dialogu.

“Megjithatë, unë po punoj veçmas me të dyja palët, në mënyrë që të mund të vazhdojmë me zbatimin e marrëveshjeve që tashmë janë në fuqi”, ka  thënë ajo.

E pyetur se çfarë pret nga takimi i sotëm, Kallas ka thënë se do të diskutojnë zgjerimin dhe atë se çfarë mund të bëj në më shumë që të ecin përpara me reformat.

“Po ashtu do të diskutojmë bashkëpunimin lidhur me përballjen ndaj kërcënimeve hibride, të cilat janë të pranishme edhe në Ballkanin Perëndimor. Kemi pasur përvoja dhe praktika të mira nga Moldavia. Tani po punojmë edhe me Armeninë. Edhe vendet e Ballkanit Perëndimor po kërkojnë të njëjtën gjë, pasi edhe ato po i shohin sulmet kundër demokracive të tyre. Po diskutojmë gjithashtu për sigurinë dhe mbrojtjen, veçanërisht për partneritetin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes me Malin e Zi, për shembull. Ajo që ne presim prej tyre është gjithashtu harmonizimi me politikën tonë të jashtme dhe të sigurisë, si dhe reformat që duhet t’i zbatojnë”, ka thënë ajo.

Duke folur për tërheqjen e trupave amerikane nga Gjermania,  ajo tha se dislokimi i trupave ndodh vazhdimisht në Evropë.

Sipas saj, kjo në fakt nuk është diçka e re.

“Mendoj se është e rëndësishme që trupat amerikane të qëndrojnë gjithashtu në Evropë, sepse ato mbrojnë interesat amerikane në Evropë, si dhe interesat evropiane. Ky është njoftimi që ka bërë Pentagoni. Dhe sigurisht, ka ende kohë për të parë se çfarë do të thotë kjo në praktikë”, ka thënë ajo.

Për situatën në Iran, Kallas ka thënë se e mbështesin një zgjidhje diplomatike dhe janë të angazhuar edhe me ato vende që ndërmjetësojnë mes palëve.

“ Gjithashtu jemi të angazhuar me vendet e Gjirit, sepse kemi të njëjtat shqetësime. Edhe nëse ka armëpushim, duhet të ketë edhe bisedime afatgjata për kërcënimet që Irani paraqet për rajonin. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me çështjen bërthamore,  ku ne në fakt kemi ofruar ekspertizën tonë, sepse kemi ekspertë që kanë negociuar marrëveshje bërthamore edhe më parëm, por edhe me kërcënime të tjera që Irani paraqet për fqinjët e tij; përfaqësuesit e tij në rajon, programin raketor, si dhe aktivitetet hibride dhe kibernetike në Evropë. Po diskutojmë gjithashtu që, kur të vijë ai moment, të jemi pjesë e arkitekturës së sigurisë në Gjirin Persik, sepse ne e shohim këtë rajon si pjesë të fqinjësisë sonë të menjëhershme. Ajo që ndodh atje ka ndikim të madh tek ne”, ka thënë ajo.

Ka potencuar se tani për tani fokusi është në ndalimin e luftës dhe hapjen e Ngushticës së Hormuzit.

“Në këtë aspekt, sigurisht që amerikanët dhe Irani po negociojnë drejtpërdrejt mes vete. Ne vetëm mund t’i mbështesim, por nuk mund të marrim vendime në emër të tyre”, ka shtuar tutje ajo.

Kallas: Ballkani Perëndimor prioritet strategjik për BE-në

1 muaj më parë / 11 maj 2026 17:25
Kaja Kallas

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka thënë se Ballkani Perëndimor është prioritet strategjik i BE-së. 

Kallas ka thënë se në takim me ministrat e Jashtëm të shteteve të Ballkanit Perëndimor është diskutuar për çështje të ndryshme, përfshirë edhe përkrahjen e BE-së për luftimin e rreziqeve nga sulmet hibride. 

Po ashtu tha se është diskutuar edhe për siguri dhe mbrojtje. 

Kallas ka thënë se pret që gjitha shtetet që aspirojnë të anëtarësohen në BE të harmonizojnë qind për qind politikën e tyre të jashtme me atë të BE-së. 

“Shtetet anëtare thanë se presin që të gjitha shtetet që vazhdojnë rrugën evropiane ta kenë plotësisht në përputhje politikën e tyre të jashtme me atë të BE-së...Duhet të tregosh nëse e sheh botën në mënyrën e njëjtë”, ka thënë Kallas në konferencë për media. 
 

Palokaj: Zhvillimet në Bosnjë-Hercegovinë dominuan takimin e ministrave të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor

1 muaj më parë / 11 maj 2026 13:37
Augustin Palokaj

Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka deklaruar tema që ka dominuar takimin e sotëm të ministrave të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor është Bosnjë-Hercegovina dhe zhvillimet e fundit në këtë vend me paralajmërimin për dorëheqje të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar Christian Schmidt nga kjo pozitë.

Në një lidhje direkte në emisionin “tre8tre” në KTV, Palokaj ka thënë se edhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka qenë ndër temat e diskutuara në këtë takim. 

“Sa i përket Ballkanit Perëndimor po dominon Bosnjë-Hercegovina, ku po ndodhin zhvillime pothuajse dramatike, sepse përfaqësuesi i lartë atje, Christian Schmidt ka paralajmëruar dorëheqjen, prandaj kjo mund të krijojë destabilizim politik në Bosnjë-Hercegovinë, ku gjithmonë nevojitet ndërhyrja e përfaqësuesit të lartë për të tejkaluar bllokadat që ndodhin në institucionet e këtij vendi. Dialogu mes KS-SRB është temë e veçantë, pastaj lufta kundër ndikimit negativ të huaj në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe thellimi i bashkëpunimit të vendeve të rajonit me BE-në, përfshirë edhe procesin e integrimit”, është shprehur ai.

VIDEO:

Palokaj ka thënë se sipas kryediplomates së BE-së, Kaja Kallas, ka pasur pajtim nga palët që të organizohet një takim në kuadër të dialogut, por ministri i jashtëm në detyrë i Kosovës Glauk Konjufca, ka konsideruar se ky vit nuk do të sillte rezultate sa i përket bisedimeve. 

“Takimi mes ministrave të Ballkanit dhe të BE-së ka përfunduar, ndërsa tash vazhdon takimi mes ministrave të Bashkimit Evropian. Kallas ka thënë se ka pasur pajtim nga të dyja palët që të organizohet një takim, porse tash është shtyrë. Për këtë e pyetëm edhe z.Konjufca dhe ai tha se ky vit është pak a shumë i humbur sa i përket dialogut dhe pret të shohë se çfarë do të ndodhë në vitin 2027. Ai përmendi edhe faktin se nuk ka mirëbesim mes Kosovës dhe Serbisë dhe ky mirëbesim nuk mund të kthehet përderisa Serbia nuk ndërmerr masa ndaj atyre që kanë kryer sulmin terrorist në Banjskë dhe sipas tij, Serbia vazhdon përpjekjet për destabilizim të Kosovës, madje edhe në bashkëpunim me Rusinë dhe në këto rrethana ai nuk sheh ndonjë përparim domethënës në procesin e dialogut”, ka thënë ai.

Konjufca për dialogun: Serbia e ka goditur Kosovën në mirëbesim

1 muaj më parë / 11 maj 2026 13:23 Nga: Augustin Palokaj
Glauk Konjufca

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, ka theksuar se problemi më i madh është goditja në mirëbesim që i është bërë Kosovës nga ana e Serbisë.

Ai e ka fajësuar Serbinë për siç ka thënë goditje në integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës.  

“Sulmet e tilla si ai i Banjskes dhe sulmet në kanalin e Iber-Lepencit, të gjitha tregojnë se involvimi i Serbisë në këto dy sulme është i drejtpërdrejtë. Relacionet që i kanë pasur këto grupe me institucionet e Serbisë është i drejtpërdrejtë. Prandaj si mund të ulemi ne me një palë e cila derisa ne ulemi në tavolinën e dialogut, ata prapa shpinës organizojnë aksione të cilat e godasin Kosovën në integritetin territorial dhe sovranitetin e saj”, është shprehur Konjufca.

I pyetur për deklaratat e Përfaqësueses së lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, se takimet e nivelit të lartë në dialog po shtyhen për shkak të cikleve të shpeshta zgjedhore në Kosovë, Konjufca ka thënë se kjo nuk po bëhet për faj të Kosovës.

“Kjo nuk është me fajin tonë. Edhe zgjedhjet në Kosovë duhet t’i kuptojnë nga një aspekt i demokracisë, edhe i kapaciteteve tona shtetërore që kanë kërkuar kohë të gjatë të ndërtohen, ashtu që sistemi politik dhe demokracia të mund t’i absorbojë edhe krizat politike. Ne jemi të vetëdijshëm që kjo Kosovën e ngadalëson sepse bëhet edhe një dëm sa i përket sekuencimit të implementimit të planit të rritjes që e ka Kosova. Ne e kemi miratuar por në mënyrën se si do të zbatohet dhe obligimet financiare që BE-ja i zbaton në kuadër të këtij plani, ky plan dëmtohet”, ka thënë ai në një deklarim për media pas takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, të kryesuar nga Kallas.

Konjufca është shprehur skeptik që do të ketë lëvizje pozitive në mbajtjen e takimeve në kuadër të dialogut me Serbinë, duke shtuar se Kosova është në një proces zgjedhor, e edhe Serbia do ta mbajë një të tillë në fund të vitit.

Ka shtuar se mbetet të shihet në vitin 2027 se si do të zhvillohen gjërat. “Zonja Kallas dhe të gjitha shtetet u shprehen të gatshme të kontribuojnë në ndërtimin e këtij besimi, por Kosova është në cikël zgjedhor edhe Serbia nga fundi i vitit i ka zgjedhjet. Unë nuk pres shumë nga ky dimension së shpejti. Të shohim në vitin 2027 se si do të zhvillohen gjërat. Por nuk pres ndonjë iniciativë në këto muajt e këtij viti”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se Kosova ka bërë hapa të mirë sa i përket integrimeve evropiane.

Konjufca ka theksuar se gjithmonë kanë deklaruar se Ballkani Perëndimor nuk mund të jetë i kompletuar si projekt i integrimit në Bashkimin Evropian, pa e marrë Kosova statusin e vendit kandidat për anëtarësim.

“Unë u bëra thirrja të gjitha shteteve dhe Kallasit që të konsiderohet ky hap sa më shpejt që të jetë e mundshme. Ne kemi nevojë që të hapen negociatat për anëtarësim në BE dhe në të njëjtën kohë paraqita edhe sfidat kryesore të sigurisë sa i përket Ballkanit Perëndimor. Theksova që për Kosovën kërcënimi më i madh janë politikat e shtetit serb. Po ashtu ua bëra të ditur se mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë dhe përfshirja e saj e drejtpërdrejt ose për mes grupeve si ai në Banjskë, po ashtu edhe financimit të disa prej strukturave janë kërcënim për Kosovën. Në të njëjtën kohë bëra të ditur se një ndikim rus vërehet se vjen në Ballkanin Perëndimor përmes Serbisë”, ka thënë Konjufca.

Konjufca duke folur për fondet evropiane nga marrëveshjet ndërkombëtare, ka thënë se ato të cilat varen nga vendimet në Kuvend, do të humbin, kurse ato që varen nga Qeveria do të ecin përpara, duke shtuar se Kosova ka Qeveri funksionale.

“Një pjesë e atyre që mund t’i bëjmë së bashku si përkrahje financiare nuk kanë nevojë për Kuvendin, por disa janë të lidhura drejtpërdrejtë me funksionalizimin e Kuvendit. Ne nuk kemi Kuvend për momentin. Për të gjitha ato pjesë që parashihet plani i rritjes që të ketë një marrëveshje ndërkombëtare apo ofrohet si formë e kredive që mundësohen  si fonde drejtpërdrejtë nga BE-ja dhe që është e domosdoshme marrja e vendimeve në Kuvend, këto do t’i humbim. E këto që janë të lidhura si marrëveshje qeveritare me BE-në, ne e kemi qeverinë është funksionale në çdo aspekt, dhe këto do të ndodhin , por një pjesë e dëmit do të ndodhë sepse ne po detyrohemi të shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat kanë qenë plotësisht të shmangshme”, ka thënë ai.

Konjufca: Kërkojmë trajtim të barabartë e të drejtë nga BE-ja, të nisin negociatat për anëtarësim

1 muaj më parë / 11 maj 2026 10:01
Glauk Konjufca

Ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, ka deklaruar se Kosova kërkon trajtim të barabartë dhe të drejtë nga Bashkimi Evropian, duke theksuar se vendi është i gatshëm të ecë përpara brenda një procesi meritokratik.

Sipas tij, ky proces nënkupton që Kosova të marrë statusin e vendit kandidat dhe të nisë negociatat për anëtarësim në BE.

“Gjithashtu, ne duam të kemi një trajtim të barabartë dhe të drejtë nga BE-ja, ne si Kosovë jemi gati të lëvizim dhe të avancojmë brenda këtij kuadri të procesit bazuar në merita. Në të njëjtën kohë, ajo që mendojmë është se çfarë do të thotë në të vërtetë ky proces bazuar në merita është që Kosova të ketë statusin e vendit kandidat dhe të nisë negociatat për anëtarësim në BE”, ka thënë Konjufca para fillimit të takimit të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të BE-së me homologët e tyre nga Ballkani Perëndimor të hënën në Bruksel.

Konjufca ka thënë se hapi i parë drejt këtij qëllimi është pyetësori i BE-së.

Ai gjithashtu ritheksoi ndikimin e Rusisë në minimin e sigurisë jo vetëm të Ballkanit, por edhe të Evropës.

“Ajo që në të vërtetë po minon arkitekturën e sigurisë së Ballkanit Perëndimor, por edhe të gjithë Evropës, është ndikimi i keq i Rusisë në rajonin tonë, dhe prandaj mendoj se një Bashkim Evropian i bashkuar dhe i zgjeruar duhet të shihet gjithmonë nga perspektiva e nevojës strategjike”, ka thënë ai.

Për dialogun me Serbinë, Konjufca theksoi se duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë.

“Sa i përket dialogut me Serbinë, Kosova gjithmonë ka qenë dhe do të jetë gjithmonë konstruktive në dialog, por dialogu duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë. Le të fillojmë duke pasur pyetësorin, ky është hapi i parë. Pres me shumë optimizëm rezultate konkrete”, është shprehur ai. 


Gjuriqi minimizon ngrirjen e fondeve për Serbinë nga Plani i Rritjes  

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, ka minimizuar ngrirjen e fondeve nga Plani i Rritjes, që BE-ja vendosi ta bënte pasi Kuvendi i Serbisë miratoi legjislacionin që minon më tej pavarësinë e gjyqësorit.

“Në këtë komunikim publik lidhur me përfitimin e fondeve nga BE-ja ka nga pak lojë politike me qëllimin që të bëhet presion ose me qëllim që të ushtrohet ndikim mbi punët tona të brendshme. Megjithatë, ajo që është fakt është se nuk ka asnjë edhe një vendim të Bashkimit Evropian që do t'i mohonte Serbisë mbështetjen ekonomike ose të rritjes nga BE-ja”, tha Gjuriq. 

Për këto masa ka njoftuar komisonerja për Zgjerim, Marta Kos, që nga 30 prilli i kaluar gjatë një ligjërate në Zvicër.

Ai ka thënë se përfshirja e vendeve të Ballkanit Perëndimor në zonën Schengen do t’i reduktonte tensionet në rajon.

Para takimit joformal të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të BE-së me ata të Ballkanit Perëndimor, Gjuriqi para mediave ka thënë se kjo do të çonte në 50 miliardë euro aktivitet të ri ekonomik.

“S'ka asnjë arsye që Evropa nga kjo verë të mos e mundësojë çlirimin e potencialit të plotë të përfshirjes së rajonit tonë në Schengen sepse kjo do të çonte në 50 miliardë euro aktivitet të ri ekonomik, sipas vlerësimit tonë, nuk do ta zvogëlonte sigurinë e Bashkimit Evropian, nuk do ta zvogëlonte sigurinë e të gjithë kontinentit tonë, përkundrazi do t’i reduktonte tensionet në rajonin tonë që do të ishte përfitues i madh, ashtu siç jemi për përfshirjen e rajonit tonë në hapësirë të përbashkët ekonomike”, ka thënë ai. 

Derisa ka përmendur marrëdhëniet me Kosovën, Gjuriqi ka shtuar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është obligim që pritet të formohet që nga 2013-ta.

“Sigurisht që unë cekur faktin që Asociacioni i Komunave Serbe nuk është formuar për më shumë se një dekadë e që ka qenë obligim që është pajtuar e nënshkruar këtu. Kam qenë, në fund të fundit, dëshmitar i krejt asaj 19 prillit të 2013-ës. Përfaqësuesit e Prishtinës u përpoqën ta fajësojnë Serbinë për probleme të ndryshme rajonale dhe ta paraqesin atë si burim i jo-stabilitetit në rajonin tonë”, ka thënë ai.