Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Cilat janë raportet e sekretarit të mundshëm amerikan me Kosovën

Thaci Rubio Vjosa Osmani Rubio

Marco Rubio është senatori që raportohet të jetë zgjedhur nga presidenti i sapozgjedhur amerikan Donald Trump, për postin e rëndësishëm të sekretarit të Shtetit. Ai është pjesë e politikës amerikane që nga viti 2010 e në pak raste mund të gjenden lidhje të tij me Kosovën.

Më 2 shkurt 2021 është postimi i tij i vetëm në Twitter, e në të cilin përmendet Kosova. Bëhet fjalë për kohën kur Kosova mori njohjen nga Izraeli, me ndërmjetësim të presidencës së parë të Trumpit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Senatori Rubio përshëndet Izraelin dhe Kosovën për themelimin e raporteve diplomatike. Ky është hap i rëndësishëm për të dyja shtetet si dhe për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, pati shkruar ai.

Ndërsa në një fjalim të publikuar në uebfaqen e tij zyrtare, më 13 shtator 2011, Rubio duke folur për rolin e Amerikës në botë pati përmendur edhe ndërhyrjen ushtarake amerikane në Ballkan. 

“Forcat e armatosura amerikane kanë qenë një nga forcat më të mëdha të botës në shekullin e shkuar. Ato e ndalën nazizmin dhe komunizmin dhe djaj të tjerë si spastrimin etnik nga serbët. Ato ndihmuan lindjen e demokracive nga Gjermania deri në Irak. Kanë bërë ndihma e kanë kryer misione të panumërta për shtetin tonë”, ishte shprehur ai.

Ndërkohë, në vitin 2018, Rubio ka pasur takim me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Siç bëhej e ditur në një komunikatë për media nga Presidenca e Kosovës, Thaçi dhe atëkohë senatori republikan kishin biseduar “për transformimin e FSK-së dhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

“Biseduam për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit bilateral, për transformimin e FSK-së, perspektivën euroatlantike të Kosovës, si dhe për shfrytëzimin e momentumit për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila siguron anëtarësimin e Kosovës në NATO, BE dhe OKB. Në të gjitha këto çështje, Kosova ka mbështetjen e plotë, si të republikanëve, ashtu edhe të demokratëve”, ishte shprehur Thaçi.

Rubio e ka takuar edhe presidenten Osmani në maj të vitit të shkuar. Siç bëhet e ditur në njoftimin e Presidencës, më 10 maj 2023, Osmani në takime me Rubion ka thënë se kanë diskutuar për rëndësinë e bashkëpunimit të raporteve ndërshtetërore.

Posti i sekretarit të Shtetit në SHBA është një nga më të rëndësishmit. Si zyrtar i lartë i kabinetit të presidentit, sekretari ka përgjegjësi për kryerjen e detyrave në politikën e jashtme të SHBA-së dhe ta këshillojë presidentin në çështjet ndërkombëtare.

Siç shkruajnë mediat prestigjioze amerikane, Rubio është emri i preferuar i Trumpit, por se kjo mund të ndryshojë në minutat e fundit. Ndër prioritetet për punën e tij të mundshme janë përmendur kryesisht Kina, lufta në Ukrainë dhe ajo në Gaza.