Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Rajon

Rubio për Serbinë: Duam ta thellojmë partneritetin strategjik, por ka disa çështje problematike

Marco Rubio

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dëshirojnë të forcojnë më tej partneritetin strategjik me Serbinë, por njëkohësisht theksoi se ekzistojnë disa çështje të ndjeshme në rajon, në të cilat është i përfshirë Beogradi. 

Duke iu përgjigjur një gazetari të portalit “Pavlovic Today”, i cili tha se nga Serbia dhe presidenti i saj po vijnë shumë vlerësime pozitive për të dhe presidentin amerikan, Donald Trump, Rubio fillimisht bëri një shaka të shkurtër.

“Më pëlqejnë komplimentet. E dini se nuk marrim gjithmonë komplimente”, ka thënë Rubio gjatë një prononcimi për gazetarët në New York, në prag të largimit të tij nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Më pas, ai foli për mënyrën se si e sheh zhvillimin e rolit të Serbisë si partnere strategjike e SHBA-së dhe për planet për thellimin e bashkëpunimit.

“Ne synojmë ta thellojmë partneritetin dhe tashmë jemi duke e bërë këtë. Në këtë administratë kemi ndërmarrë hapa për t’u afruar më shumë në marrëdhëniet tona. E di se përfaqësues të Departamentit të Shtetit dhe agjencive të tjera qeveritare kanë vizituar tashmë Serbinë dhe shpresoj se edhe unë do të kem mundësinë ta vizitoj”, u shpreh Rubio.

Megjithatë, sekretari amerikan i Shtetit theksoi se Beogradi përballet me disa sfida.

“Është e qartë se Serbia është e lidhur me disa çështje që janë potencialisht problematike dhe shpërthyese dhe për të cilat ekziston interes ndërkombëtar. Por ky është një partneritet strategjik që duam ta thellojmë dhe synojmë ta bëjmë këtë, ndërkohë që menaxhojmë disa nga çështjet potenciale që mund të shfaqen, për të cilat e di se ata janë thellësisht të shqetësuar”, deklaroi Rubio.

Në korrik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Serbia nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi për infrastrukturën energjetike dhe sigurinë energjetike rajonale, në kuadër të dialogut strategjik të zhvilluar në Washington.