Arbëri

Rubio e Vuçiqi bisedojnë për dialogun Kosovë-Serbi

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka pritur në takim presidentin serb, Aleksandar Vuçiq

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka pritur në takim presidentin serb, Aleksandar Vuçiq gjatë vizitës së tij në New York.

Në njoftimin e lëshuar nga Departamenti i Shtetit, thuhet se ata kanë diskutuar për thellimin e partneritetit mes SHBA-së e Serbisë.

“Sekretari i Shtetit Marco Rubio u takua me Presidentin serb Aleksandar Vuçiq, me të cilin diskutuan thellimin e partneritetit midis Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë, duke përfshirë edhe përmes një dialogu strategjik dypalësh dhe pjesëmarrjes së SHBA-së në EXPO 2027”, thuhet në njoftim. 

Ndërsa Vuçiqi pas këtij takimi ka shkruar në rrjetet sociale se përveç bisedimeve për ekonominë e tregtinë, fokus ka pasur edhe në çështjen e dialogut me Kosovë-Serbi.

“Theksova se Serbia është e përkushtuar për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, si parakusht për çdo përparim të mëtejshëm dhe një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët, duke shprehur mirënjohje për rolin e SHBA-së në mbrojtjen e sigurisë së popullit serb në Kosovë dhe M., si dhe për kontributin e tyre në procesin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Njëkohësisht, e vlerësojmë mbështetjen e SHBA-së në rrugën tonë drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian, që është një nga objektivat strategjikë të vendit tonë”, ka shkruar ai.