Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka thënë të enjten se Shtetet e Bashkuara mbeten të përgatitura të luajnë një "rol konstruktiv" në ndihmën për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Ai e ka bërë këtë deklaratë pas bisedimeve me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në kuadër të një takimi të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore në Manila.
Duke folur pas takimit, Rubio ka thënë se presidenti, Donald Trump, e kishte bërë të qartë se Shtetet e Bashkuara ishin të përgatitura të ndihmonin në lehtësimin e përfundimit të një "lufte të pakuptimtë" nëse do të lindte mundësia.
Ai ka thënë se Uashingtoni ia kishte përcjellë këtë mesazh Moskës, ndërsa ka refuzuar ta karakterizojë qëndrimin e Rusisë gjatë bisedimeve.
“Patëm një bisedë të mirë, një bisedë të sinqertë”, ka thënë Rubio për takimin e tij me homologun e tij rus. Ai ka shtuar se nuk do të hynte në detaje specifike rreth asaj që është diskutuar.
Edhe
Rubio: Rusia dhe Ukraina po luftojnë për një hapësirë prej 30-50 kilometrash
Rubio ka thënë se konflikti kishte shkaktuar një numër të madh viktimash. Si Rusia ashtu edhe Ukraina kanë vullnet për t'i dhënë fund luftës, por sfida qendrore mbetet gjetja e një zgjidhjeje "që të dyja palët mund ta pranojnë", ka shtuar ai.
Lavrov, nga ana e tij, "ka riafirmuar gatishmërinë e Rusisë për një zgjidhje politike dhe diplomatike të konfliktit, thuhej në deklaratën e ministrisë ruse, dhe se i është thënë Rubios se Moska mbetet e përkushtuar ndaj propozimeve të paraqitura nga presidentët Trump dhe Vladimir Putin në takimin e tyre të gushtit 2025 në Alaska.