Zyrtarë të lartë nga Shtetet e Bashkuara, Ukraina dhe këshilltarë të sigurisë kombëtare nga Franca, Britania dhe Gjermania do të zhvillojnë bisedime në Gjenevë të dielën për të diskutuar draftin e planit të Washingtonit për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.
I dërguari special i SHBA-së, Steve Ëitkoff, dhe sekretari i Shtetit, Marco Rubio, pritej të mbërrinin të dielën për bisedimet mbi përfundimin e pushtimit rus, i cili tani është në vitin e katërt.
Të premten, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka kohë deri të enjten për të miratuar planin me 28 pika, i cili i bën thirrje Ukrainës të heqë dorë nga territori, të pranojë kufizime në ushtrinë e saj dhe të heqë dorë nga ambiciet për t'u bashkuar me NATO-n.
"Shpresojmë të sqarojmë detajet përfundimtare... për të hartuar një marrëveshje që është e favorshme për ta (Ukrainën”, ka thënë një zyrtar amerikan.
"Asgjë nuk do të bihet dakord derisa të dy presidentët të takohen", ka shtuar ai duke iu referuar Trumpit dhe Zelenskyt.
Përpara nisjes së Rubios për në Gjenevë, Trumpi ka thënë se propozimi i tij aktual për t'i dhënë fund luftës nuk është oferta e tij e fundit. Herët të dielën, konvoje automjetesh me targa diplomatike amerikane u panë duke kaluar nëpër Gjenevë.
Delegacioni i Ukrainës kryesohet nga kreu i zyrës së Zelenskyt, Andriy Yermak, dhe përfshin zyrtarë të lartë të sigurisë.
Këshilltarët e sigurisë kombëtare nga aleanca E3 e Francës, Britanisë dhe Gjermanisë do të bashkohen në diskutime, së bashku me Bashkimin Evropian. Italia gjithashtu do të dërgojë një zyrtar, kanë thënë burime diplomatike.
Kryeministri kanadez, Mark Carney, ka thënë se do të flasë me Zelenskyn më vonë të dielën në lidhje me planin e paqes.
Udhëheqësit evropianë kanë thënë të shtunën se plani i paqes i SHBA-së, i cili mbështet kërkesat kryesore ruse, ishte një bazë për bisedime për t'i dhënë fund luftës, por kishte nevojë për "punë shtesë", pasi ata kërkojnë një marrëveshje më të mirë për Kievin para afatit të së enjtes.
Një burim nga qeveria gjermane ka thënë se një draft i planit evropian të paqes, i cili bazohet në propozimin e SHBA-së, ishte dërguar në Ukrainë dhe në administratën amerikane.
Përpara bisedimeve, presidenti Zelensky ka paralajmëruar se Ukraina rrezikonte të humbiste dinjitetin dhe lirinë e saj ose mbështetjen e Uashingtonit, për shkak të planit.
Presidenti rus, Vladimir Putin e ka përshkruar planin si bazën e një zgjidhjeje për konfliktin, por Moska mund të kundërshtojë disa propozime në skemë, e cila kërkon që forcat e saj të tërhiqen nga disa zona që kanë pushtuar.