Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kolumne

12 muajt e ardhshëm

Pas dekadash fjalimesh dhe premtimesh për zgjerimin, ka ardhur koha që BE-ja të flasë me akte politike dhe me vepra. Tani, me publikimin e udhërrëfyesve, obligimet e BE-së janë po aq të qarta sa edhe ato të vendeve në proces anëtarësimi. Ironikisht, ka ardhur koha që BE-ja të na dëshmojë atë “track-record” të famshëm, dhe këtë herë ajo është në karrigen e vlerësimit

Javën e kaluar, Komisioni Evropian publikoi pakon më të rëndësishme të zgjerimit në kohën e saj moderne. Për herë të parë që nga pranimi i Kroacisë në BE në vitin 2013, Komisioni Evropian zyrtarisht propozoi pranimin e një vendi të ri në BE – Malin e Zi. Sipas Komisionit Evropian, sot janë katër vende që i janë afruar jashtëzakonisht shumë datës së anëtarësimit. Mali i Zi mund t’i përfundojë negociatat këtë vit, Shqipëria deri në fund të vitit tjetër, ndërsa Moldavia dhe Ukraina deri në fund të vitit 2028.

Për ta bërë këtë realitet dhe për të kaluar nga fjalët në vepra, Komisioni Evropian publikoi javën e kaluar udhërrëfyesit për anëtarësimin e këtyre katër vendeve në BE. Udhërrëfyesit janë një lloj manuali se si të përfundohen negociatat me këto katër vende – si të tilla, ato përmbajnë piketat dhe datat tentative të secilit stad të mbetur të anëtarësimit.

Udhërrëfyesi i Malit të Zi është i ndarë në tre stade. Në stadin e parë, deri në fund të këtij viti, synohet mbajtja e edhe dy konferencave ndërqeveritare, ku synohet mbyllja e të gjithë kapitujve të mbetur negociatorë, me theks të veçantë te kapitujt më të vështirë – kapitulli 23: Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore, dhe kapitulli 24: Drejtësia, Liria dhe Siguria. Kjo do të hapë rrugë që Këshilli të bjerë dakord për aranzhimet tranzitore, pakon financiare dhe çështjet institucionale përkitazi me anëtarësimin e Malit të Zi në BE. Në stadin e dytë, deri në qershor të vitit 2027, synohet përfundimi i negociatave mbi Traktatin e Anëtarësimit, përkthimi i tij dhe nënshkrimi i tij. Kjo do të kërkonte pëlqimin e Parlamentit Evropian dhe vendimin e Këshillit të BE-së për pranimin e Malit të Zi në BE. Në stadin e tretë, pas qershorit 2027, Parlamenti Evropian do të ftonte deputetët malazezë të marrin pjesë në seancat e PE-së me statusin e observuesit, ndërsa Mali i Zi do të propozonte komisionerin e tij të parë Evropian, së bashku me shërbyesit civilë malazezë që do t’i bashkoheshin shërbimit civil evropian. Njëkohësisht do të fillonte procedura e ratifikimit të Traktatit të Anëtarësimit në Malin e Zi dhe në vendet anëtare të BE-së.

Udhërrëfyesi i Shqipërisë është i ndarë në katër stade. Në stadin e parë, deri në fund të këtij viti, synohet mbyllja e gjashtë kapitujve, siç janë pronësia intelektuale dhe politika e jashtme dhe e sigurisë. Në stadin e dytë, deri në qershor 2027, synohet mbyllja e dhjetë kapitujve, siç janë prokurimi publik, lëvizja e lirë e kapitalit dhe kontrolli financiar. Në stadin e tretë, deri në dhjetor 2027, synohet mbyllja e të gjithë kapitujve të mbetur, siç janë kapitulli 23: Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore, dhe kapitulli 24: Drejtësia, Liria dhe Siguria. Në stadin e katërt, deri në fund të vitit 2027, Komisioni Evropian do të propozojë pakon financiare për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, si dhe nisjen e hartimit të Traktatit të Anëtarësimit.

Udhërrëfyesit e Moldavisë dhe të Ukrainës ndjekin të njëjtat katër stade. Në stadin e parë, deri në fund të këtij viti, synohet hapja e dy grupkapitujve të mbetur negociatorë: grupkapitulli 4: Agjenda e gjelbër, dhe grupkapitulli 5: Bujqësia. Në stadin e dytë synohet plotësimi i kritereve të ndërmjetme për sundimin e ligjit, që janë kusht për mbylljen e çdo kapitulli: për Moldavinë deri në mars 2027, ndërsa për Ukrainën deri në qershor 2027. Stadet e tretë dhe të katërt janë oraret e mbylljes së kapitujve gjatë vitit 2027, dhe këtu dallimi është i dukshëm. Moldavia synon të mbyllë nëntë kapituj deri në qershor dhe gjashtëmbëdhjetë të tjerë deri në dhjetor, pra gjithsej njëzet e pesë. Nga ana tjetër, Ukraina synon të mbyllë një kapitull, atë të arsimit dhe kulturës, deri në qershor, dhe gjashtë të tjerë deri në dhjetor, pra gjithsej shtatë. Ky dallim vjen nga vlerësimi i Komisionit Evropian se Moldavia është më e përgatitur për anëtarësim se Ukraina.

Janë disa mësime që mund të nxjerrim nga udhërrëfyesit e anëtarësimit të Malit të Zi, Shqipërisë, Moldavisë dhe Ukrainës. Mësimi i parë është rreptësia e procesit të anëtarësimit. Traktati i Malit të Zi do të përfshijë për herë të parë klauzolat mbrojtëse jashtëzakonisht rigoroze. Synimi i tyre është që BE-ja të sigurohet se vendet e reja anëtare të BE-së nuk do të abuzojnë me të drejtat e tyre alla Orban. Këto klauzola do të përfshijnë dispozita të përkohshme që i lejojnë BE-së të shtyjë anëtarësimin e Malit të Zi nëse gjatë vitit tjetër Mali i Zi shënon regres, apo ta sanksionojë lehtësisht Malin e Zi në rast regresi pas aktit të anëtarësimit.

Mësimi i dytë është rëndësia e sundimit të ligjit. Ne po shohim nga procesi i këtyre katër vendeve se sundimi i ligjit mbetet faktor përcaktues për shpejtësinë e procesit të anëtarësimit. Sundimi i ligjit përcakton dinamikën e mbylljes së negociatave brenda çdo kapitulli dhe është kapitulli që mbyllet i fundit. Në kuadër të Traktatit të Anëtarësimit, vazhdimi i respektimit të standardeve të sundimit të ligjit mbetet aspekti më i rëndësishëm i ruajtjes së të drejtave të plota si vend anëtar i BE-së.

E fundit, publikimi i udhërrëfyesve për anëtarësimin e këtyre katër vendeve është një tregues tjetër se po jetojmë në kohë historike. Nëse ky plan i Komisionit Evropian jetësohet, brenda 12 muajve të ardhshëm do të jemi dëshmitarë të diçkaje që pak prej nesh e besonin të mundur vetëm pak kohë më parë: ceremonisë së nënshkrimit të Traktatit të Anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian.
A do të ndodhë kjo apo jo, vetëm koha do ta tregojë, por një gjë është tani më e qartë: anëtarësimi i Malit të Zi në BE do të jetë test për BE-në po aq sa edhe për Malin e Zi. Në gjuhën angleze ekziston shprehja e famshme “to walk the talk”, që nënkupton se dikush duhet ta dëshmojë veten me vepra, jo me fjalë. Pas dekadash fjalimesh dhe premtimesh për zgjerimin, ka ardhur koha që BE-ja të flasë me akte politike dhe me vepra. Tani, me publikimin e udhërrëfyesve, obligimet e BE-së janë po aq të qarta sa edhe ato të vendeve në proces anëtarësimi. Ironikisht, ka ardhur koha që BE-ja të na dëshmojë atë “track-record” të famshëm, dhe këtë herë ajo është në karrigen e vlerësimit.