Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, ka vlerësuar se negociatorët kanë pasur “një ditë shumë të mirë” të dielën dhe ka pasur “një përparim të jashtëzakonshëm" në bisedimet për përfundimin e luftës në Ukrainë, raporton “BBC”.
Në paraqitjen e dytë para mediave të dielën nga Gjeneva, Rubio ka thënë se gjatë 96 orëve të fundit ka pasur një angazhim të gjerë me Ukrainën.
Ai ka thënë se të dielën, në takimin mes zyrtarëve të lartë ukrainas dhe aleatëve perëndimorë në Gjenevë, qëllimi ishte të merreshin me pikat e planit të propozuar nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Ai tha se u përpoqën ta ngushtonin dallimin te “pikat e hapura”.
Thotë se palët e përfshira arritën këtë në një mënyrë të konsiderueshme, por shtoi se çdo marrëveshje finale duhet të miratohet nga presidentët dhe se ka ende çështje të cilat duhet të trajtohen.
“Ende ka punë për t’u bërë, por sot në këtë kohë jemi shumë më përpara sesa ishim kur filluam në mëngjes dhe ku ishim javë më parë”, tha Rubio.
Rubio pranon se disa çështje janë ende duke u diskutuar. Ai nuk ka dashur të flasë se cilat çështje mbeten temë diskutimi.
Ai tha se plani ndryshon çdo ditë ndërsa palët e interesuara japin kontributet e tyre.
I pyetur për komentet e mëhershme të presidentit amerikan Trump, që tha se Ukraina është mosmirënjohëse për mbështetjen e SHBA-së, Rubio tha se ka folur me Trumpin që kur ai bëri ato komente.
Ai tha se presidenti është “mjaft i kënaqur” për përparimin e bërë në bisedimet.
Rubio është pyetur nëse SHBA-ja është e hapur ndaj idesë së ofrimit të garancive të sigurisë.
“Ne të gjithë e pranojmë se një pjesë e përfundimit final të kësaj lufte do të kërkojë që Ukraina të ndihet e sigurt. Kjo është e qartë dhe është diçka që duhet diskutuar. Mendoj se kemi bërë përparim të konsiderueshëm në këtë dhe në pikat tjera”, tha Rubio, që ka shtuar se bisedimet në Gjenevë do të vazhdojnë edhe nesër.
Rubio ka thënë se nuk ka parë asnjë kundërpropozim nga pala evropiane.
E presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në një postim në rrjete sociale, para konferencës së dytë të Rubios, shkroi se "ka sinjale që ekipi i Trumpit po na dëgjon".
Ai tha se diplomacia është "aktivizuar" dhe pret që nesër të jetë një ditë aktive.