Është pritur me entuziazëm në Kosovë raportimi se Donald Trumpi do ta emërojë sekretar shteti senatorin Marco Rubio. Senatori republikan e njeh situatën në Kosovë dhe ka realizuar takime me zyrtarë shtetërorë që nga 2018-a. Ai është takuar me Hashim Thaçin më 2018 e edhe me Vjosa Osmanin më 2023. Ndërkohë, më 2021 pati përgëzuar Kosovën e Izraelin për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike
Një ndër postet kryesore në administratën amerikane pritet t’i besohet senatorit republikan, Marco Rubio, ka raportuar “New York Times” të martën.
Rubio është në mesin e emrave të përfolur se do të emërohet sekretar i Shtetit, pozitë kjo në të cilën i është përmendur emri edhe ish-emisarit Richard Grenell.
Kosova e zhvillimet politike në Ballkan nuk janë të panjohura për njeriun që mund të bëhet sekretar shteti – Marco Rubio.
Më 2018 ai është takuar me presidentin e asaj kohe të Kosovës, Hashim Thaçi.
Në njoftimin e Presidencës ishte thënë se transformimi i FSK-së e dialogu Kosovë-Serbi ishin çështje të ngritura në diskutim.
“Biseduam për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit bilateral, për transformimin e FSK-së, perspektivën euroatlantike të Kosovës, si dhe për shfrytëzimin e momentumit për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila siguron anëtarësimin e Kosovës në NATO, BE dhe OKB. Në të gjitha këto çështje Kosova ka mbështetjen e plotë, si të republikanëve ashtu edhe të demokratëve”, pati thënë Thaçi.
Pesë vjet më vonë, me senatorin Rubio është takuar edhe presidentja Vjosa Osmani.
“Përkushtimi ynë i palëkundur për liri dhe demokraci përbën themelin e fortë të partneritetit Kosovës-SHBA. Një diskutim i mirë sot me senatorin Marco Rubio mbi rëndësinë e bashkëpunimit midis vendeve tona për të ruajtur vlerat tona të përbashkëta në këtë kohë përcaktuese”, pati thënë Osmani pas takimit me senatorin.
Aktualisht, Marco Rubio shërben si nënkryetar i Komitetit të Senatit për Inteligjencë dhe është anëtar i Komitetit për Marrëdhënieve me Jashtë.
Si përfaqësues nga Florida në Senat, 53-vjeçari u zgjodh për herë të parë në vitin 2010.
Përgjatë karrierës, rajonin e Ballkanit e kishte disa herë në fokus.
Në vitin 2022, ai iu bashkua një grupi senatorësh, i cili i dërgoi letër presidentit amerikan, Joe Biden, për ta inkurajuar që ta mbajë Ballkanin në vëmendjen e tij.
“Ballkani është një zonë e cenueshme e Evropës dhe, megjithëse Ukraina duhet ta ketë vëmendjen tonë të menjëhershme, ne nuk mund ta humbasim nga sytë këtë rajon, ku NATO-ja, prej kohësh, ka luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen e paqes”, u tha në atë letër.
Aty po ashtu theksohej se Rusia, për kohë të gjatë, ka luajtur rol destabilizues në Ballkan, për t’i penguar vendet që aspirojnë NATO-n të anëtarësohen në këtë aleancë.
“Në veçanti, ne i bëjmë thirrje NATO-s që ta rrisë angazhimin e saj në rajon dhe t’i marrë parasysh masat emergjente, në rast se Rusia vë veto ndaj rinovimit të misionit të Forcave të Bashkimit Evropian në Bosnjë dhe Hercegovinë, në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, më vonë këtë vit”, u tha në atë letër.
Në vitin 2021, Rubio mirëpriti lajmin për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Izraelit dhe Kosovës.
“Ky është një hap i rëndësishëm për të dyja vendet, si dhe për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, shkroi Rubio në X.
Analisti Agon Maliqi ka vlerësuar se emërimi eventual i senatorit Marco Rubio në pozitën e sekretarit të Shtetit e edhe emërimi i Mike Waltz si këshilltar i Sigurisë Kombëtare është zhvillim pozitiv për Evropën dhe Ballkanin.
“Të dy i përkasin linjës tradicionale republikane më të afërt me, ta zëmë, presidentin Bush dhe jo me rrymat izolacioniste që do të përkuleshin përballë Rusisë. Agjendën MAGA dhe përmbushjen e apetiteve të militantëve deri tani Trump duket se e ka përqendruar te politika e brendshme, ndërkohë që tek e jashtmja shenjat janë për ‘vazhdimësi republikane’”, ka thënë Maliqi.
E, sipas deputetes së PDK-së, Blerta Deliu, pavarësisht emrave në administratën e drejtuar nga Trumpi, liderët shtetërorë duhet të kujdesen për marrëdhëniet me aleatët dhe orientimin properëndimor të Kosovës
“Për Kosovën është e rëndësishme ndërtimi i raporteve kredibile me partnerët e saj. Dua të besoj që këtyre aventurave të rrezikshme, deklaratave të pamatura do të përfundojnë. Dua të besoj që kjo qeveri duhet ta mësojë mësimin”, ka thënë ajo.
Donald Trumpi është zgjedhur president i SHBA-së për herë të dytë. Në zgjedhjet e 5 nëntorit ai shënoi fitore të thellë ndaj kundërkandidates demokrate, Kamala Harris.