Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kamberi: Pasivizimi i adresave na pamundësoi mandatin e tretë

Shaip Kamberi

Bartësi i listës së Koalicionit Shqiptar në zgjedhjet parlamentare në Serbi, Shaip Kamberi, ka deklaruar për RTK-në se shqiptarët janë në garë për të siguruar mandatin e dytë, ndërsa pasivizimi i adresave ka ndikuar në humbjen e mundësisë për të fituar mandatin e tretë.

Pak para mbylljes së vendvotimeve, Kamberi ka bërë të ditur se, sipas të dhënave preliminare të orës 19:00, në 37 vendvotime në Preshevë kishin votuar 16.600 qytetarë, ndërsa në vendvotimet shqiptare në Bujanoc 10.853 votues.

Ai ka thënë se procesi zgjedhor ka vijuar përgjithësisht i rregullt, me disa parregullsi të vogla në fillim të votimit.

Sa i përket mundësisë për mandatin e dytë, Kamberi ka theksuar se rezultati varet edhe nga pjesëmarrja e përgjithshme në zgjedhjet në Serbi.

“Nëse shkon në 70%, siç po flitet, atëherë sigurisht do të kërkohen më tepër vota. Në rast të një rezultati 61–65%, kemi gjasa shumë reale ta kemi ulësen e dytë”, ka deklaruar Kamberi.

Duke folur për pasivizimin e adresave, ai ka thënë se personat e prekur nga ky proces janë larguar edhe nga regjistrat e votuesve.

“Kjo na ka sjellë në situatë që ne ta humbim mandatin e tretë që e kemi pretenduar”, ka deklaruar Kamberi, duke e cilësuar pasivizimin e adresave si pjesë të diskriminimit sistematik ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Edhe Kamberi voton në Tërnoc, bën thirrje për dalje masive në zgjedhje Arbëri Kamberi voton në Tërnoc, bën thirrje për dalje masive në zgjedhje

Ai ka përmendur veçanërisht Medvegjën, ku, sipas tij, pasivizimi i adresave ka ndikuar në rezultatet zgjedhore të shqiptarëve.

Megjithatë, Kamberi ka vlerësuar mobilizimin e votuesve shqiptarë dhe ka falënderuar qytetarët që kanë ardhur nga Kosova për të ushtruar të drejtën e votës.

“Ditët e fundit të fushatës zgjedhore patëm reagime nga të gjitha anët e hapësirave shqiptare, që ishte një motivim shtesë për zgjedhësit tanë”, ka thënë ai.

Lexo përditësimet tjera
koalicioni shqiptar

Zgjedhjet në Serbi, shqiptarët garuan të bashkuar në listën “Koalicioni Shqiptar”