Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama, ka thënë se operacioni i Forcës në Liqenin e Ujmanit të martën, 29 korrik, nuk ka qenë i pari i saj në veri të vendit. Ai ka thënë se edhe pas vitit 2018, FSK-ja ka zhvilluar aktivitet atje.
Rama ka treguar se më 2019 FSK-ja ka zhvilluar aktivitet të deminimit në veri.
E, Lëvizja Vetëvendosje të martën e ka quajtur si “zbarkimin e parë në veri të kësaj force” dërgimin e ushtarëve në Liqenin e Ujmanit për të ndihmuar në gjetjen e një mërgimtari i cili u mbyt pasi u hodh në ujë të dielën.
“Nuk është e vërtetë që FSK-ja është në pejsën veriore, kemi pasur aksione që prej vitit 2014, 2016 dhe 2019. FSK është reagues i tretë në këtë rast dhe përgjegjëse për gjithë këtë operacion është Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, Policia dhe kur ata vlerësojnë se nuk ka kapacitete njoftohet FSK-ja”, ka thënë ai në “60 Minuta” të KTV-së.
Rama ka treguar më tej për operacionet ndër vite.
“Më 2014 e kemi pasur të njëjtin operacion, aksidenti në Liqenin e Ujmanit mes dy varkave kanë qenë të zhdukur disa të komunitetit serb dhe kemi operuar në atë pjesë në koordinim me KFOR-in. Të njëjtin e kemi pasur edhe në vitin 2016 në Lumin Ibër që me kërkesë të KFOR-it dhe AME-së e kemi gjetur një trup të pajetë të komunitetit serb. Dhe më 2019 kemi pasur aktivitete të deminimit humanitar bashkërisht me KFOR-in amerikan”, u shpreh ai.
FSK-ja ka marrë leje nga KFOR-i për të zhvilluar kërkimet në Ujman. Kjo forcë nuk mund të shkojë në veri pa pëlqimin e misionit të NATO-s në Kosovë, bazuar në zotimin e vitit 2013 nga Qeveria e Kosovës ndaj aleancës veriatlantike.