Arbëri

Britania vlerëson koordinimin mes KFOR-it dhe FSK-së për operacionin në Ujman

FSK ne Ujman

Foto: Driton Paçarada

Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka vlerësuar lart bashkëpunimin ndërmjet misionit të udhëhequr nga NATO – KFOR dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në operacionin e kërkim-shpëtimit për një person të zhdukur në Liqenin e Ujmanit gjatë së martës.

FSK-ja ishte angazhuar në këtë operacion pas autorizimit të dhënë nga komandanti i KFOR-it, Enrico Barduani. Trupi i pajetë i 33-vjeçarit që kërceu nga ura në Liqenin e Ujmanit të dielën u gjet pas dy ditësh, kur intervenoi FSK-ja.

Ambasada britanike e cilësoi këtë ndërhyrje si dëshmi të profesionalizmit dhe efikasitetit të FSK-së në kapacitetet e saj të kërkim-shpëtimit, duke theksuar se veprimi është në përputhje me marrëveshjet e kahmotshme ndërmjet KFOR-it dhe FSK-së.

“Ne e vlerësojmë KFOR-in për mbështetjen dhe sigurimin e rendit gjatë gjithë këtij operacioni dhe u shprehim ngushëllimet tona familjes së personit që fatkeqësisht humbi jetën”, thuhet në reagimin e Ambasadës së Britanisë.

Britania ka rikonfirmuar mbështetjen e plotë për misionin e KFOR-it, duke e konsideruar atë thelbësor për garantimin e një ambienti të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët dhe komunitetet në Kosovë.

Po ashtu, është theksuar rëndësia e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet KFOR-it, FSK-së, Policisë së Kosovës dhe EULEX-it për suksesin e misionit të NATO-s në vend.

Ndërsa Ambasada e Italisë në Kosovë ka shprehur mbështetjen për misionin e KFOR-it dhe komandantin Enrico Barduani, që vjen nga ky shtet, duke theksuar se veprimet janë ndërmarrë brenda kufijve të mandatit të KFOR-it dhe në bazë të rrethanave humanitare.

“Ambasada e Italisë në Kosovë shpreh mbështetjen e saj të plotë për misionin e KFOR-it dhe për komandantin e KFOR-it, i cili veproi brenda kufijve të mandatit të tij, në dritën e rrethanave të pafat që bënë të nevojshme ndërhyrjen e ekipit për arsye humanitare”, thuhet në deklaratën zyrtare të ambasadës.

Në të njëjtën deklaratë, Ambasada italiane përsëriti vlerësimin e madh për rolin pozitiv dhe të qëndrueshëm të KFOR-it në Kosovë, duke theksuar kontributin e këtij misioni për sigurinë dhe stabilitetin në vend.

Gjatë ditës së djeshme, Ambasada e Gjermanisë reagoi ashpër duke kritikuar përpjekjet për politizim të kësaj çështje.