Është gjetur trupi i pajetë i të riut që të dielën u zhduk në ujërat e Ujmanit, pas hedhjes nga ura. Operacioni u realizua nga FSK-ja, së cilës KFOR-i ia lejoi përfshirjen në këtë pjesë të veriut, tek në ditën e tretë të kërkimit. Por, pjesëmarrja e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në operacionin e kërkim-shpëtimit në liqenin e Ujmanit, u ka shërbyer partive politike të polemizojnë në distancë
Në ditën e tretë të kërkimit është gjetur trupi i pajetë i të riut që të dielën u zhduk në ujërat e liqenit të Ujmanit, pasi u hodh nga ura mbi të.
Trupi është nxjerrë pas aktivizimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, pak orë pasi u autorizua t’u bashkohej ekipeve të kërkimit.
“Falë intensitetit të lartë të kërkimit dhe profesionalizmit të ekipeve tona në terren, pas disa orësh kërkimi në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, AME dhe KFOR, kanë arritur të gjejnë trupin e pajetë në zonën e liqenit të Ujmanit”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
Bazuar në një zotim të shkruar dhënë NATO-s 12 vjet më parë, FSK-ja nuk hyn në veriun e banuar kryesisht me serbë, pa leje paraprake të misionit të KFOR-it.
Në njoftimin e FSK-së është thënë se komandanti gjenerallejtënant Bashkim Jashari ka urdhëruar ekipet e Kërkim-Shpëtimit në Ujëra për ta realizuar operacionin, pas ftesës së Qendrës së Situatave të Qeverisë së Kosovës dhe koordinimeve me partnerët.
E, KFOR-i bëri të ditur se autorizimi është kushtëzuar me kërkesat specifike që i ka përcaktuar.
“Përdorimi i ekipeve të Kërkim-Shpëtimit të FSK-së bie nën mandatin e FSK-së, i cili përfshin mbështetjen për komunitetet lokale, në përgjigje të fatkeqësive natyrore, përmes operacioneve të kërkim-shpëtimit”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.
Në operacion që nga fillimi është përfshirë edhe Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave.
Drejtori i saj, Genc Metaj, ka thënë se kërkimi i ndihmës nga FSK-ja është bërë të hënën, në mungesë të kapaciteteve të Agjencisë.
“Me kapacitetet aktuale që i kemi pasur, nuk kemi arritur sukses për ta gjetur trupin e personit të humbur dhe me këtë arsye me veprime ndërinstitucionale i kemi ndërmarrë të gjitha veprimet dhe kemi kërkuar angazhimin e FSK-së... Dje e kemi bërë kërkesën për angazhimin e FSK-së”, ka thënë Metaj.
Krahas FSK-së dhe KFOR-it, edhe pjesëtarë të Policisë kanë asistuar në operacion.
“Policia është këtu duke asistuar. Udhëheqës në vendin e ngjarjes është AME-ja, tash ka ardhur edhe FSK-ja e shpresojmë që së paku trupin do ta gjejmë e t’i lehtësohet dhimbja sado pak familjes", ka deklaruar Veton Elshani, zv.drejtor i Policisë së Kosovës, rajoni veri.
Në vendin ku janë realizuar kërkime janë paraqitur të martën edhe ministrat në detyrë Liburn Aliu, Xhelal Sveçla e Elbert Krasniqi.
E, kryetari i Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri, ka thënë se terreni i kërkimit në liqen është i vështirë dhe kjo e ka vështirësuar procesin e kërkimit.
“Dashti zoti të themi ashtu që t’u bashkëngjitet ekipeve të kërkimit edhe ekipet maksimalisht të pajisura, siç janë Forca e Sigurisë së Kosovës. Unë edhe dje kam bërë thirrje. Ja që po ndodh. Kjo është marrë për shkak se zhytësit e dinë më së miri, terreni është shumë i vështirë. 30, 40 e më shumë metra dhe ja mbeturina në thellësi që është vështirë operimi e duhesh me kanë teknikisht i pajisur mirë”, ka thënë Zeqiri.
Pasi FSK-ja e ka nxjerrë trupin e pajetë të të riut nga liqeni i Ujmanit, e ka dorëzuar te Policia dhe ekipi i forenzikës.
Por, pjesëmarrja e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në operacionin e kërkim-shpëtimit në liqenin e Ujmanit, u ka shërbyer partive politike të polemizojnë në distancë.
Në llogarinë në Facebook të Lëvizjes Vetëvendosje është shpërndarë njoftimi i ministrit në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, të cilit i është shoqëruar komenti: FSK-ja për herë të parë si ushtri në veri të vendit.
Pas kësaj, nënkryetarja e Partisë Demokratike, Vlora Çitaku, ka akuzuar Vetëvendosjen për abuzim me rastin tragjik.
“Jeni të neveritshëm. A keni fije përgjegjësie? A keni fare ndjeshmëri njerëzore? Si mund të abuzoni me vdekjen tragjike të një të riu për propagandë politike? FSK-ja nuk ka shkuar në veri për të luftuar, por për të kërkuar trupin e një djali që humbi jetën tragjikisht. Ashtu siç ka vepruar edhe më parë, me dinjitet dhe pa zhurmë”, ka thënë Çitaku.
Ndaj akuzave ka reaguar zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka.
“Këta që dje përdorën tragjedinë e një qytetari të zhdukur në Ujman për të sulmuar VV-në, sot akuzojnë VV-në se po e shfrytëzon këtë ngjarje për t’u lavdëruar me FSK-në. Tragjedia është fatkeqësi. Ekipet e FSK-së janë aty pikërisht për shkak të saj. Por, fakti që për herë të parë Ushtria e Kosovës shkon në atë pjesë është ngjarje historike dhe si e tillë duhet të shënohet”, ka thënë Manxhuka.
Më 2013, kur është arritur marrëveshja e parë e parimeve Kosovë-Serbi, ish-kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, që ishte kryeministër në atë kohë, ishte zotuar tek NATO-ja nëpërmjet një letre se pa leje të KFOR-it, FSK-ja nuk do të hyjë në veri.
Zotimin e rikonfirmoi së fundmi edhe Ejup Maqedonci, në cilësinë e ministrit të Mbrojtjes dhe i cili në zgjedhjet e fundit është zgjedhur deputet nga radhët e Vetëvendosjes.