Arbëri

FSK-ja angazhohet për kërkimin e trupit të mërgimtarit në Ujman

FSK-ja angazhohet për kërkimin e trupit të mërgimtarit në Ujman

Foto: Driton Paçarada

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se njësitet e specializuar të zhytjes dhe kërkim shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të martën në mëngjes janë angazhuar në mbështetje të autoriteteve civile për kërkimin e trupit të mërgimtarit i cili është hedhur në liqenin e Ujmanit në Komunën e Zubin-Potokut.

“Forca e Sigurisë së Kosovës në kuadër të detyrave të saj thelbësore ka edhe mbështetjen e autoriteteve civile. Në këtë aspekt në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Policinë e Kosovës dhe bashkërendim me KFOR, ekipet e specializuara të FSK kanë filluar operacionin e kërkimit në liqenin e Ujmanit me synimin që sa më shpejtë të nxirret trupi i mërgimtarit dhe ti lehtësohet dhimbja familjes”, ka shkruar Maqedonci në Facebook.

Dërgim i FSK-së në veri të vendit mund të bëhet vetëm me pëlqimin paraprak të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, bazuar në zotimin e vitit 2013 nga Qeveria e Kosovës ndaj NATO-s.

Drejtori i Agjencisë për Menaxhim të Emergjencave, Genc Metaj, ka thënë se të hënën kanë kërkuar angazhimin e FSK-së.

“Agjencia e Menaxhimit Emergjent me të marrë informacionin në koordinim me Policinë menjëherë i ka marrë veprimet dhe i ka angazhuar njësitet e veta të AME-së, njësitin e zjarrfikjes, kemi angazhuar edhe shoqatën e Kosovës për Kërkim Shpëtim. Po ashtu kanë qenë të angazhuar edhe klubi i zhytjes ‘Trepça’. Agjencia si koordinues e veprimeve në raste emergjente i ka marrë të gjitha masat mirëpo me kapacitetet aktuale që i kemi pas nuk kemi arrit sukses me gjet trupin e personit të humbur dhe me këtë arsye me veprime ndërinstitucionale i kemi ndërmarrë të gjitha veprimet dhe kemi kërkuar angazhimin e FSK-së. Dje e kemi bërë kërkesën për angazhimin e FSK-së. AME është në ngritje të kapaciteteve të kërkim-shpëtimit dhe për momentin strukturat kryesore të kërkim-shpëtimit janë në FSK”, ka thënë ai.

Në vendin e ngjarjes kanë shkuar edhe ministri në detyrë i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ministri në detyrë i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe kryetari i Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri. Atje janë parë edhe ekipe të EULEX-it.

Të dielën një mërgimtar dyshohet se është mbytur pasi është hedhur nga ura në Liqenin e Ujmanit. 

Qe dy ditë trupi i mërgimtarit u kërkua nga ekipet e Policisë e ato të Shoqatës së Kërkim-Shpëtimit. Por s’ka pasur rezultat.

Në një reagim gjatë ditës së djeshme, Shoqata e Kërkim-Shpëtimit, mohoi siç thanë “informacionet që po qarkullojnë në rrjete sociale” se trupi është gjetur dhe po pritet FSK-ja për ta nxjerrë.

“Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim njofton opinionin publik se informacionet që po qarkullojnë në rrjete sociale lidhur me lokalizimin e trupit të personit të mbytur në Ujman janë të pabazuara dhe pa fakte. Kërkimet ende janë në vazhdim dhe çdo informacion zyrtar do të publikohet vetëm nga institucionet përkatëse dhe nga ekipet e angazhuara në terren. Lusim qytetarët dhe mediat që të mos shpërndajnë lajme të pavërteta që vetëm sa krijojnë konfuzion dhe pengojnë operacionet e kërkim-shpëtimit”, thuhet në reagim.

Fotogaleri:

VIDEO:

VIDEO:

Gjendet trupi i pajetë i 33-vjeçarit në Liqenin e Ujmanit

4 o. më parë / 29 kor 2025 16:28
FSK-ja angazhohet për kërkimin e trupit të mërgimtarit në Ujman

Photo: Driton Paçarada

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) të martën pasdite ka njoftuar se ka gjetur trupin e pajetë të mërgimtarit 33-vjeçar i cili vdiq pasi kërceu në ujë nga ura në Liqenin e Ujmanit.

Viktima kishte kërcyer nga ura në Liqenin e Ujmanit të dielën dhe s’kishe dalë më nga uji. Pavarësisht kërkimeve për dy ditë nga Policia e Shoqata e Kërkim-Shpëtimit, nuk pati rezultat.

Të martën, me autorizim të KFOR-it, ekipet e kërkim-shpëtimit të FSK-së dolën në terren dhe pas disa orësh kërkim, gjetën trupin e pajetë.

“Falë intesitetit të lartë të kërkimit dhe profesionalizmit të ekipeve tona në terren, pas disa orësh kërkimi në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, AME dhe KFOR, kanë arritur të gjejnë trupin e pajetë në zonën e  liqenit të Ujmanit. Pas evakuimit, trupi i pajetë i viktimës i është dorëzuar Policisë së Kosovës dhe ekipit të forenzikës për procedurat e mëtejme”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

KFOR-i thotë se autorizoi FSK-në për kërkime në Ujman nën kërkesa specifike

9 o. më parë / 29 kor 2025 11:59
KFOR-i duke vëzhguar në Liqenin e Ujmanit

KFOR-i duke vëzhguar në Liqenin e Ujmanit

KFOR-i ka njoftuar se autorizimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) për të marrë pjesë në operacionin për kërimin e trupit të mërgimtarit që dyshohet se u hodh të dielën në Ujman është bërë nën kërkesa specifike. 

Sipas njoftimit të misionit të NATO-s, operacioni do të sigurohet nga ushtarët e KFOR-it. 

“Të martën, më 29 korrik, komandanti i misionit KFOR të udhëhequr nga NATO, gjeneral-major Enrico Barduani, autorizoi Forcën e Sigurisë së Kosovës të vendoste ekipe kërkim-shpëtimi në zonën e Liqenit të Ujmanit. Autorizimi u dha në përputhje të plotë me autoritetin e komandantit të KFOR-it, për të maksimizuar përpjekjet e vazhdueshme për të gjetur një burrë 33-vjeçar që raportohet se ka hyrë në liqen disa ditë më parë. Autorizimi është i kushtëzuar nga kërkesat specifike dhe i vendosur nga KFOR-i, i cili gjithashtu do të ofrojë siguri gjatë gjithë operacionit”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

Tutje thuhet se përdorimi i ekipeve SAR të FSK-së “bie nën mandatin fillestar të FSK-së, i cili përfshin mbështetje për komunitetet lokale, në përgjigje të fatkeqësive natyrore, përmes operacioneve të kërkim-shpëtimit”.

Në njoftim thuhet se KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij - bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, siç thuhet për të kontribuar në një mjedis të sigurt. 

Dërgim i FSK-së në veri të vendit mund të bëhet vetëm me pëlqimin paraprak të KFOR-it, bazuar në zotimin e vitit 2013 nga Qeveria e Kosovës ndaj NATO-s.