Arbëri

Një muaj paraburgim shtetasit të Serbisë, dyshohet për krime lufte në Zhegër të Gjilanit

Gjykata Themelore në Prishtinë

Gjykata Themelore në Prishtinë

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji D.N., i dyshuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”.

D.N. shtetas i Serbisë, akuzohet se si komandant i nënstacionit policor në Zhegër të Gjilanit, nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim për të parandaluar vrasjen e 13 anëtarëve të familjes Hyseni dhe Shabani, në shtëpinë e familjes Hyseni.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri D.N. në cilësinë e Komandantit të Nënstacionit Policor në Zhegër, duke shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare, përkatësisht nenit 86 dhe 87 të protokollit shtesë I të vitit 1977, Konventës së Gjenevës e vitit 1949, duke vepruar në përgjegjësin komanduese, nuk kishte ndërmarr asnjë veprim, që të parandaloj apo ndëshkoj kryerësit e krimeve të kryera ndaj popullsisë civile të atij fshati nga forcat serbe dhe paramilitarët serb, të kryera me datë 30.04.1999 nga i pandehuri S.A ku janë vrarë 13 anëtarë të familjes Hyseni dhe Shabani në shtëpinë e familjes Hyseni. Edhe pse ishte lajmëruar përmes një letre nga të dëmtuarit D.H. dhe I.H., i pandehuri ka qenë i detyruar të ndërmarrë veprime brenda kompetencave të tij, si komandant i atij nënstacioni, i njëjti është larguar nga vendi i ngjarjes pa ndërmarrë masat e nevojshme dhe të arsyeshme për të parandaluar, ndaluar ose për ti paraqitur rastet për hetim apo procedim penal dhe në këtë mënyrë është pajtuar me shkaktimin e pasojës së dëmshme, e këto veprime inkriminuese vërtetohen edhe me deklaratat e të dëmtuarve dhe dëshmitarëve, nga të cilat dëshmi vërtetohet edhe fakti se i pandehuri D.N. ishte komandant i nënstacionit policor në Zhegër, në kohën e kryerjes së veprës penale”, thuhet në njoftim.

Gjykata vlerësoi se pesha e veprës penale është e natyrës së rëndë dhe komplekse, andaj caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme, për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale.

Sipas gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri D.N. nëse gjendet në liri, mund të arratiset duke pasur parasysh faktin se është shtetas i Serbisë, dhe mund të jetë i paarritshëm për fazat tjera të procedurës penale.

D.N. është arrestuar para dy ditësh në pikëkalimin kufitar Dheu i Bardhë.