LAJMET E MBRËMJES

I akuzuari për krime lufte në Zhegër deklarohet i pafajshëm

Prokuroria Speciale e akuzon Naskoviqin se në cilësinë e komandantit të nënstacionit policor nuk e ka ndërmarrë asnjë veprim për t’i parandaluar plaçkitjet, dëbimin dhe vrasjet e 29 e civilëve shqiptarë në Zhegër të Gjilanit, më 1999

Dragutin Naskoviq është deklaruar i pafajshëm në akuzën për krime lufte kundër popullsisë civile në Zhegër të Gjilanit.

Prokuroria Speciale e akuzon Naskoviqin se si komandant i nënstacionit policor në Zhegër nuk e ka ndërmarrë asnjë veprim për t’i parandaluar plaçkitjet, dëbimin dhe vrasjet e 29 civilëve shqiptarë në këtë fshat më 1999.

Të martën, në seancën fillestare për rastin, Naskoviqi ka thënë se në nuk ka qenë i përfshirë në këtë vepër penale.

“Nuk ndihem fajtor për asnjë vepër e cila më vihet në barrë. Në atë kohë, kur ka ndodhur kjo vepër penale, unë nuk kam qenë në vend të ngjarjes dhe as komandant”, ka thënë Naskoviq.

Deklarimin rreth fajësisë, i akuzuari e ka bërë pasi prokurorja speciale, Ajshe Ferati, ia ka lexuar aktakuzën, bazuar në të cilën, forca serbe kanë hyrë dhe e kanë rrethuar Zhegrën nën komandën e të pandehurit. Për pasojë, banorët, në mesin e të cilëve edhe familja Ukshini, kanë nisur t’i braktisin shtëpitë e të strehohen në shtëpi të tjera.

“Milazimi i shqetësuar dhe traumatizuar menjëherë ka shkuar në stacionin policor në Zhegër për të lajmëruar rastin, aty ka takuar të pandehurin, i cili ishte komandant i atij stacioni. Të njëjtit person i ka treguar për vrasjen e babait dhe ka kërkuar për të gjetur nënën e tij, tani viktimën Miradije Ukshini, mirëpo në vend që t’i ndihmonte për të gjetur viktimën, i pandehuri drejtohet me fjalët: ‘Hajt se edhe ajo është e vdekur’, dëshmitari doli dhe shkoi në fshat për të kërkuar nënën e tij, të cilën e gjeti të vrarë, të prerë me thikë në fyt”, ka thënë prokurorja Ferati.

Sipas aktakuzës, Naskoviqi ka qenë në dijeni se forcat policore e ushtarake serbe, një pjesë e të cilëve nën komandën e tij, e kanë rrethuar fshatin Zhegër dhe më pas e kanë sulmuar edhe atë Llashticë.

“Nga data 06.04.1999 e deri më datë 13.04.1999 çdo ditë pas patrullimit të kryer nga i pandehuri Dragutin Naskoviqi, si komandant i atij stacioni në fshatin Llashticë, që ka ndodhur nga ora 09:00, deri në ora 10:00 e paradites, menjëherë polic e qytetarë serbë kanë kryer plaçkitje dhe shkatërrim të pasurisë së civilëve shqiptarë, 90 për qind të shtëpive u plaçkitën, e më pas u dogjën, duke u shkaktuar dëme të mëdha materiale civilëve shqiptarë. Duke pasur parasysh këto rrethana, kur i pandehuri si komandant ka patrulluar ditën e dytë, tretë, të katërt e tutje. I ka parë këto shtëpi të plaçkitura dhe të djegura dhe asnjëherë nuk i ka parandaluar këto veprime të dëmshme, të shkaktuara nga forcat serbe, në dëm të popullatës civile”, ka thënë prokurorja Ferati.

Dragutin Naskoviqi është arrestuar në shtator të këtij viti në pikëkalimin kufitar Dheu i Bardhë.