Kanë kaluar 25 vjet qëkur Tahir Tahirit forcat serbe ia kanë vrarë vëllain para dyerve të shtëpisë në Zhegër të Gjilanit. Por ai ende e kujton mirë atë moment, teksa një ditë pasi që Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë për krime lufte ndaj Dragan Naskoviqit, Tahiri thotë se nën udhëheqjen e tij forcat paramilitare serbe kanë torturuar dhe maltretuar shumë familje në fshatin e tij. Në aktakuzë Prokuroria e akuzon Naskoviqin se gjatë periudhës së muajve mars-prill të vitit 1999, në cilësinë e komandantit të nënstacionit në Zhegër të Komunës së Gjilanit, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të parandaluar plaçkitjet, dëbimin dhe vrasjet e 29 civilëve shqiptarë
Edhe pse kanë kaluar njëzet e pesë vjet, Tahir Tahiri e ka ende të freskët kujtimin nga dita kur vëllai i tij u ekzekutua para syve të familjarëve gjatë vlugut të luftës së viteve 1998-1999 në fshatin Zhegër të Gjilanit.
I mbytur në lot, ai rrëfen për momentet e fundit të të vëllait të shtrirë përtokë përpara dyerve të shtëpisë, tek thotë që plagën që ia ka shkaktuar ai përjetim nuk ka mundur t’ia shëronte as kapërcimi i më se mbi dy dekadave kohë.
E kur e merr pak veten dhe nis të tregojë për përjetimet e luftës në fshatin e tij, Tahiri thotë se të udhëhequra nga Dragan Naskoviqi, forcat paramilitare serbe kanë torturuar dhe maltretuar shumë familje në Zhegër.
“E kanë marrë vëllain e parë, e kanë qitë te dyert. Njëri serb ka thënë: ‘Jo nuk është ky’. E kanë marrë edhe tjetrin vëlla, dhe atë e rrahën me çizme, me kondakë, me gjithçka... prapë është dëgjuar një zë: ‘Jo nuk është’. Ai vëllai i tretë kur ka dalë, pa një, pa dy, kanë shkrepë. Pesë plumba i ka pasur në trup”, rrëfeu Tahiri për momentin kur iu vra vëllai në luftë. “Krejt anëtarët e familjes kanë qenë aty. Me gra, me fëmijë, kemi qenë të gjithë familja bashkë, diku rreth 24 anëtarë. Kështu strehoheshim, mbroheshim, edhe në gjithë prezencën e tyre e kanë ekzekutuar”.
Prokuroria Speciale e Kosovës të hënën ka ngritur aktakuzë kundër Dragan Naskoviqit, nën akuzën për krime lufte kundër popullatës civile. Sipas aktakuzës, ai ka marrë pjesë në vrasjen e 25 civilëve shqiptarë në Zhegër të Gjilanit.
Banorët e Zhegrës e kanë mirëpritur aktakuzën ndaj Naskoviqit, një ditë pas ngritjes së saj.
Nga krimet e kryera nën drejtimin e Naskoviqit, krahas Tahirit plagë të thella në shpirt mbart edhe banori tjetër i Zhegrës, Muhadin Haziri. Atij, kur ishte 21 vjeç, forcat serbe ia vranë nënën dhe babanë.
E vuajtja për humbjen ai thotë se i rikthehet, po aq e rëndë sikurse para 25 vjetësh, sa herë që rrëfen apo e tregon ndonjë fragment nga e shkuara në luftë.
“Përmes këtij objekti shumë njerëz hynë këtu dhe dikush e ka pasë fatin me mbetë këtu, një ndër ta edhe prindërit e mi”, e nis ai rrëfimin me fytyrë të ngrysur. “Si janë nisë për në shtëpi, ata në pozitën... kanë nisur që të shkojnë për te shtëpia, pas një ore ka ndodhë vrasja në oborr”.
Për gjithë këtë rast ai e mban fajtor Neskoviqin, i cili tashmë është në qendër paraburgimi.
Gjatë kohës së luftës banorë të Zhegrës tregojnë se plani i forcave të Serbisë ka qenë që të vriten civilë shqiptarë në ditën e Bajramit. Por banori Qanil Tanili thotë se ky plan dështoi shkaku i një ndërhyrjeje të papritur që e ndryshoi të gjithë rrjedhën e ngjarjeve.
“Së pari kanë vra e kanë plaçkitë fshatin tonë. Diku rreth 400 shtëpi kanë qenë të djegura. Kanë qenë të përgatitur të vijnë të na vrasin, të na maltretojnë në ditën e Bajramit, burrave të na zënë në xhami, e gratë e fëmijët në shtëpi, por që ai plan iu ndryshoi dhe iu dështoi, dhe kanë ardhur pas 2 dite dhe kanë operuar me planin të cilin e kanë pasur të organizuar mirë dhe në mënyrë perfektë”, tregon ai.
Ndërlidhur me këto ngjarje, Naskoviqi akuzohet nga Prokuroria e Shtetit se gjatë periudhës së muajve mars-prill të vitit 1999, në cilësinë e komandantit të nënstacionit në Zhegër të Komunës së Gjilanit, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të parandaluar plaçkitjet, dëbimin dhe vrasjet e 29 civilëve shqiptarë.
Naskoviqi është arrestuar në shtator të këtij viti, në pikëkalimin kufitar Dheu i Bardhë.