Para Gjykatës Themelore në Prishtinë, të enjten, janë paraqitur pesë të akuzuar serbë për krime lufte ndaj civilëve shqiptarë në rajonin e Gjilanit. Seanca e shqyrtimit fillestar është shtyrë, pasi avokatët nuk i kishin marrë me kohë provat nga Prokuroria. E në aktakuzën për këtë rast, thuhet se të akuzuarit morën pjesë në vrasjen e tetë civilëve
Dragan Cvetokoviq, Dragan Niçiq, Millosh Shoshiq, Nenad Stojanoviq e Slobodan Jevtiq janë paraqitur të enjten për seancën e shqyrtimit fillestar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, si të akuzuar për krime lufte në Gjilan dhe në fshatrat: Inatoc, Llovcë, Pogragjë më 1999.
Shqyrtimi fillestar nuk është mbajtur meqë, siç ka konstatuar gjykata, Prokuroria Speciale nuk i ka pajisur mbrojtësit e të akuzuarve me prova.
Prokuroria i akuzon pesë të pandehurit se si pjesëtarë të forcave serbe morën pjesë në vrasjen e tetë civilëve shqiptarë. Një prej viktimave, sipas Prokurorisë Speciale është edhe një grua që po e mbante në dorë fëmijën e vet kur u vra.
“Rreth orës 15:00, përderisa popullata civile ishte duke u larguar me traktorë me rimorkio nga fshati Llovcë në drejtim të fshatit Pogragjë, nga shkolla e fshatit Llovcë, pjesëtarë të këtij grupi kriminal kishin filluar që të gjuanin në drejtim të popullatës civile dhe si pasojë ishte plagosur viktima Nexhmije Azemi në shpinë. Plaga kishte qenë dalëse dhe po ashtu ishte plagosur edhe Marigona Azemi, po ashtu në shpinë, e moshës rreth 2-vjeçare, të cilën e kishte pasur në dorë viktima Nexhmije Azemi. E si pasojë e plagëve, Nexhmija kishte ndërruar jetë”, thuhet në aktakuzë.
Pos për Nexhmije Azemin, Prokuroria po kërkon drejtësi edhe për vrasjen e Xhevrie Zeqirit, Rrahim Zeqirit, Nazim Rashitit, Rabit Dalipit, Sami Xhelilit, Xhemail Halimit dhe Avdi Rexhepit.
E trupat e Xhevrie e Rrahim Zeqirit edhe janë djegur.
Të pandehurit, sipas prokurorisë kanë marrë pjesë edhe në keqtrajtimin e shqiptarëve. Ndër viktimat është edhe Behxhet Mehmeti, që sipas Prokurorisë, është trajtuar në mënyrë çnjerëzore.
“….pasi i kishin dërguar në Pasjan në një kooperativë bujqësore, i kishin
maltretuar në forma çnjerëzore, ku të dëmtuarin Behxhet e kishin shtrirë mbi një tavolinë dhe e kishin zhveshur në pjesën e sipërme dhe në gjoks i kishin shkruar kryqe dhe simbole të tyre me gjakun e tij, porse në mbrëmje e kishin liruar, e gjithashtu pjesëtarë të këtij grupi kishin rrahur, maltretuar, torturuar fizikisht dhe psikikisht edhe persona të tjerë, plaçkitur, dëbuar popullatën civile shqiptare, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë”, thuhet në aktakuzë.
Katër prej pesë të akuzuarve kanë lindur në Pasjan të Gjilanit, e një në fshatin Boscë të Kamenicës.
Njëri prej tyre, Millosh Shoshiq, deri para arrestimit, ishte pjesëtar i Policisë së Kosovës.