Arbëri

Haxhiu: Sulmet seksiste, mizogjene ndaj meje, të papranueshme

Albulena Haxhiu

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, e cila është edhe e propozuara për kryeparlamentare, ka akuzuar partitë deri tash në opozitë se po bëjnë sulme seksiste ndaj saj.

Të hënën kur dështoi edhe seanca e 25-të për konstituimin e Kuvendit, Haxhiu ka thënë se këto sulme ndaj saj janë të papranueshme.

“Nuk i kuptoj arsyet publike që i kanë bërë opozita për kundërshtimin tim. Më quajnë përçarëse, konfliktuoze, por jam e hapur të diskutojmë për secilën çështje që kam bërë, asnjëherë nuk kam vepruar në kundërshtim me interesat e qytetarëve. Sulmet seksiste, mizogjene, kanë qenë të papranueshme”, ka thënë ajo. 

Haxhiu ka shtuar se janë në pritje që Gjykata Kushtetuese të veprojë lidhur me ankesën e AAK-së për votimin e fshehtë. 

“Sot ishte hera e 17-të prej kur është vendosur propozimi për votimin e fshehtë, kjo procedurë ka filluar që nga 1 maji. Përkundër kësaj, ne nuk kemi një situatë ndryshe, pra opozita me një inat irracional, ka vendosur të mos marrë pjesë në votim. Sot bëhen tri javë prej kur AAK-ja e ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese, pra AAK-ja me mbështetjen e disa deputetëve e ka kontestuar votimin e fshehtë. Përkundër faktit që kanë kaluar 3 javë nuk kemi përgjigje. Urojmë që Gjykata Kushtetuese të veprojë në përputhje me rrethanat, dhe të marrë vendimin. Ne kemi dërguar komentet në raport me të njëjtën”, ka thënë Haxhiu.

Ndërsa, deputetja e kësaj partie, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka thënë se problemi i partive opozitare nuk është emri i kandidatit për kryeparlamentar, por bllokimi i formimit të institucioneve.

“Si Lëvizje Vetëvendosje e kemi kryer obligimin tonë duke propozuar emrin e kandidatit qysh në seancën e parë, ndërkohë që jemi prezent për kaq shumë seanca radhazi për të votuar pro, ndërkohë që për 17 herë radhazi i kemi të njëjtit deputetë të opozitës që nuk marrin pjesë fare as në votimin e komisionit që e mundëson votimin e fshehtë. Sikur të ishte problemi emri i kandidatit siç ata deklarojnë për kaq shumë seanca radhazi, do ta kishin mundësuar votimin e fshehtë dhe të drejtën e tyre për të votuar kundër këtij kandidati”, ka thënë ajo.

Lexo përditësimet tjera
seanca konstituive

Edhe një dështim për konstituim të Kuvendit