Arbëri

Haxhiu: Nuk do të jem kandidate për kryeparlamentare

Albulena Haxhiu

Foto: Driton Paçarada

Pas tentimit në disa raste e dështimit të vazhdueshëm, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se të premten nuk do të jetë emri i saj i propozuar për kryeparlamentare të Kuvendit të Kosovës.

E pyetur se cili do të jetë emri i propozuar, ajo ka thënë se kjo do të shihet në seancën e paraparë për të nisur në orën 11:00, raporton EO.

Haxhiu dështoi edhe të mërkurën, në votimin e parë pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, që i obligon ta zgjedhin kryeparlamentarin në votim të hapur e për 30 ditë.

Ajo mori 57 vota pro, e pas saj për herë të parë u propozua një emër tjetër që po ashtu dështoi. Madje Donika Gërvalla s’i mori as krejt votat e deputetëve të VV-së, pasi nuk mori mbështetjen e Shqipe Selimit.

Qëkur ka nisur seanca konstituive më 15 prill, deputetët kanë mbajtur edhe 54 vazhdime deri më 26 korrik, por kanë dështuar ta përmbyllin atë me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Nga 1 maji, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e shmangu votimin e hapur dhe kërkoi formimin e një komisioni që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për kryeparlamentar. Kjo u kundërshtua nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Lista Serbe, që refuzuan të propozonin anëtarë për këtë komision.

Më pas lënda është adresuar në Kushtetuese, e cila ka nxjerrë dy vendime. Në bazë të aktgjykimit të dytë, që u publikua më 19 gusht, deputetët obligohen që ta përmbyllin konstituimin e Kuvendit brenda 30 ditësh. Bazuar në të, votimi për kryeparlamentarin duhet të jetë i hapur, ndërsa i njëjti propozim për këtë post nuk mund të bëhet më shumë se tri herë. Sipas aktgjykimit, të gjithë deputetët prezentë duhet ta shprehin vullnetin e tyre me votë: për, kundër ose abstenim.

Kushtetuesja ka konstatuar se deputetët e zgjedhur nuk e kanë zbatuar aktgjykimin e 26 qershorit dhe rrjedhimisht të gjitha vazhdimet e seancës të mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik i ka shpallur të pavlefshme.

Lexo përditësimet tjera
Hekuran Murati

As Murati s’i merr votat për kryeparlamentar