Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Mijëra pjesëmarrës në protestat në Itali, kërkojnë paga më të larta e investime në shërbimet publike

protesta

Mijëra studentë dhe punëtorë protestuan të premten në qytete të ndryshme të Italisë, në kuadër të një greve të përgjithshme të organizuar nga sindikata më e madhe e vendit, CGIL.

Ata kundërshtuan politikat ekonomike të kryeministres Giorgia Meloni dhe kërkuan paga më të larta, si dhe më shumë investime në shërbimet publike, raporton Reuters.

Protestat në Itali u zhvilluan në të njëjtën kohë me një valë më të gjerë mobilizimi të të rinjve në Evropë.

Demonstrata studentore janë paralajmëruar edhe në Gjermani, Francë, Britani, Austri dhe Belgjikë, kundër rritjes së kostos së jetesës dhe shtimit të shpenzimeve ushtarake.

Edhe sindikata të tjera italiane, përfshirë organizatën e pavarur Cobas, kanë thirrur greva të veçanta, ndërsa protesta të studentëve ishin planifikuar në disa pjesë të vendit.

Kreu i CGIL-it, Maurizio Landini, tha se kjo ishte një ditë e rëndësishme, pasi të rinjtë po dilnin në rrugë jo vetëm në Itali, por në të gjithë Evropën.

Sipas tij, kërkesa për ndryshime po rritet në mbarë Evropën dhe në mesin e qytetarëve të thjeshtë.

Greva e organizuar nga CGIL është planifikuar të zgjasë gjatë gjithë orarit të punës dhe të përfshinte punonjësit e sektorit publik dhe privat, përfshirë ata të arsimit dhe shëndetësisë.

Transporti ajror dhe ai hekurudhor nuk janë përfshirë në grevën e përgjithshme, ndërsa ndikimi në transportin publik lokal ishte i kufizuar për shkak të detyrimit për të garantuar shërbimet minimale.

Megjithatë, një grevë e veçantë në sektorin hekurudhor është planifikuar të nisë sot në orën 21:00 dhe të vazhdojë deri të shtunën në orën 20:00.

Protestat po mbahen në prag të zgjedhjeve parlamentare në Itali, të cilat pritet të zhvillohen në vitin 2027.