Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Bokshi: Haxhiu s’do të jetë në rolin e saj më të mirë si kryekuvendare

Politologu Alban Bokshi ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje duhet ta marrë hapin që të gjejë bashkëpunim me partitë e tjera dhe ta zgjedhin një kandidat për kryeparlamentar. Sipas tij, kandidatja që LVV-ja ka propozuar, Albulena Haxhiu, nuk është në rolin më të mirë si kryekuvendare.

Ai ka shtuar se LVV-ja ka edhe përgjejësi ndaj qytetarëve si parti e parë e dalë nga zgjedhjet dhe duhet të japë zgjidhje.

“Nëse LVV-ja e ka të qartë se nuk ia votojnë Albulena Haxhiun, atëherë si partia fituese i takon jo  vetëm e drejta por edhe përgjegjësia dhe mund t’iu qasen partive opozitare pak në mirëbesim ta bëjnë hapin e parë dhe ta zgjedhin bashkë një kandidat që do ta votonin të gjitha partitë. Partitë kanë ngulur këmbë që nuk e votojnë Albulena Haxhiun, VV-ja ka ngulur këmbë se kjo është kandidatja jonë. Haxhiu sa ka qenë deputete ka qenë goxha polarizuese, armiqësore me disa parti dhe nuk është në rolin e saj më të mirë si kryekuvendare. Edhe VV-ja mund ta marrë parasysh dhe ta shqyrtojë”, ka thënë ai në Interaktiv.

Bokshi ka theksuar se zgjidhja për bllokadën në Kuvend është marrëveshja politike mes partive.

Deputetët e legjislaturës së nëntë do t’i rikthehen seancës konstituive të mërkurën në orën 11:00. Një ditë pas publikimit të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në gazetën zyrtare, administrata e Kuvendit ka dërguar njoftimin për seancën me dy pika të vetme të rendit të ditës – zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të organit ligjvënës.

Edhe Caktohet seanca konstituive, partitë përballen me afatin për presidentin Arbëri Caktohet seanca konstituive, partitë përballen me afatin për presidentin

Sipas Aktgjykimit të Kushtetueses, Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh dhe e drejta e propozimit të kryeperlamentarit i takon Lëvizjes Vetëvendosje, si grupi më i madh parlamentar i dalë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Aktgjykimi e kufizon në vetëm tri votime kandidaturën për kryetar Kuvendi.

Deri tash, kandidatja e vetme e propozuar nga Vetëvendosja ka qenë Albulena Haxhiu, e cila në vazhdimet e seancës para se të kërkohej kalimi në votim të fshehtë, nuk ka marrë 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur në këtë pozitë.