Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Lana Del Rey jep lajme për albumet e shumëpritura

Lana Del Rey

Lana Del Rey

Foto: Associated Press

Këngëtarja Lana Del Rey ka dhënë një përditësim për dy albumet e saj të reja, duke zbuluar se puna për to po shkon shumë mirë dhe se është pranë përfundimit të tyre, ka shkruar FemaleFirst.

Këngëtarja fillimisht kishte njoftuar se albumi i saj i dhjetë do të publikohej në muajin maj të vitit 2025. Megjithatë, data është shtyrë disa herë, ndërsa projekti ka ndryshuar edhe emër. Aktualisht, albumi mban titullin “Stove”, ndërsa projekti shoqërues quhet “Spyda”. Për asnjërin nuk është konfirmuar ende një datë publikimi.

Në një postim në Instagram, Del Ray ka shkruar se është shumë e kënaqur me rezultatet e punës.

“Albumet po marrin formë shumë të mirë. Jam e lumtur me to. Po kërkojnë kohën e tyre, por do të publikohen në momentin e duhur, duke pasur parasysh sasinë e madhe të muzikës që përmbajnë të dyja. Jam vërtet pranë përfundimit, edhe pse gjatë këtyre viteve gjithçka mori kthesa të papritura. Nuk e kisha parashikuar, por ajo që doli prej tyre duket sikur ishte e destinuar të ndodhte”, u shpreh këngëtarja.

Del Rey ka folur edhe për temat personale dhe reflektuese që përshkojnë këngët e reja, duke treguar se ato lidhen me përvojat dhe ndryshimet e saj gjatë viteve të fundit.

“Teksti i këngës ‘You've Got a Friend’ përmban shumë dialog të brendshëm. Flet për gjithçka që ka ndodhur gjatë tre viteve të fundit dhe për arsyet që qëndrojnë pas saj. Çfarë mësimesh kemi nxjerrë? A ka vërtet mësime? A ndodh gjithçka në kohën e Zotit? Më duket se gjërat që ndodhin nuk mund të jenë thjesht rastësi”, ka shkruar ajo.

Këngëtarja 41-vjeçare ka premtuar se do t’i njoftojë fansat sapo të jetë e sigurt se albumet kanë përfunduar. Ajo ka theksuar gjithashtu rëndësinë që kanë për të kopjet fizike të projektit.

“Mos u shqetësoni. Jam shumë e lumtur me atë që kam krijuar dhe, kur të jem e sigurt se gjithçka ka përfunduar, do t’ju njoftoj. Një nga gjërat më të rëndësishme për këtë album është bukuria e kopjeve fizike. Vetëm pllakat prej bakri u deshën gjashtë muaj për t’u përgatitur”, bëri të ditur ajo.

Sipas Del Rey, dy albumet përfaqësojnë një kombinim të veçantë, që pasqyron ndryshimin e këndvështrimit të saj nga koha kur i njoftoi projektet, rreth katër vjet më parë, deri te mënyra se si e sheh sot jetën, marrëdhëniet me njerëzit dhe suksesin personal.

Postimin ajo e përfundoi me një fjali që mund të jetë pjesë e teksteve të këngëve të reja.

“Gjithçka sepse takova lumturinë. Kush do ta kishte menduar se kjo do të të zemëronte kaq shumë?”, ka shkruar ajo.

Këngëtarja, albumi i fundit i së cilës është “Did You Know That There's a Tunnel Under Ocean Blvd”, i publikuar në vitin 2023, ndau gjithashtu një mesazh për fansat me rastin e Ditës së Falënderimeve.

Ajo shprehu mirënjohje për familjen dhe rëndësinë që kanë për të takimet e tyre të përbashkëta.

“Dërgoj dashuri për të gjithë sot. Po mendoj për historinë e vendit tonë dhe për mënyrën se si mund të nderojmë traditat dhe kulturën e hershme të popujve që jetuan të parët në këtë tokë të bukur. Zemra ime është gjithmonë me ju. Jam gjithashtu mirënjohëse për familjen time, që vazhdon të gjejë kohë për t’u mbledhur së bashku. Kjo është ajo që më mban të bashkuar në këtë lojë të çmendur që quhet jetë. Shpresoj që secili prej nesh të gjejë të paktën një arsye për të qenë mirënjohës”, ka shkruar ajo.