Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

LDK-ja e PDK-ja s’e fusin në rend dite propozimin e VV-së për anulimin e projektit “Ulpiana 2030”

Kuvendi Komunal i Prishtinës

Foto ilustrim - Arkiv

Foto: Driton Paçarada

Grupi i asamblistëve të Vetëvendosjes (VV) ka kërkuar sot anulimin e vendimit për projektin “Ulpiana 2030 Legacy”.

Përmes një propozim-vendimi në mbledhjen e Kuvendit Komunal, VV-ja ka kërkuar sot që të shfuqizohet vendimi për caktimin e lokacionit ku planifikohet ndërtimi i një objekti dhe parkingut nëntokësor në Ulpianë. 

Por, kërkesa për përfshirjen e kësaj pike në rendin e ditës nuk mori mbështetjen e shumicës së asamblistëve. Me 20 vota kundër dhe 13 vota pro, propozimi nuk kaloi.

“Në emër të grupit të asamblistëve të VV në rendin e ditës të përfshihet propozim vendimi për anulimin e vendimit të kryeqytetit për caktimin e lokacionit Ulpiana 2030 Legasy. Qytetarët e Ulpianës ka deklaruar se janë kundër këtij projekti. Ministria e Sportit e ka sqaruar se ky projekt nuk është në kuadër të Lojërave Mesdhetare. Edhe kryetari është deklaruar se projekti nuk do të vazhdojë nëse banorët nuk e duan. Këto deklarime të marrin formën e një vendimi institucional prandaj ju bëj thirrje ta votoni propozimin tonë”, ka thënë shefi i grupit të asamblistëve të VV-së Gëzim Sveçla.

Ndërkohë, kryetari i Prishtinës ka paralajmëruar një takim me banorët e Ulpianës, më 10 dhjetor, në shkollën “Hasan Prishtina”, ku sipas tij, pritet të diskutohen hapat e mëtejmë lidhur me projektin dhe propozimin e tij.

“Kryetari e ka organizuar një takim më 10 dhjetor me banorët e Ulpianës në shkollën “Hasan Prishtina” dhe aty do të vendoset me gjithë qytetarët se çfarë hapi do të ndërmerret për Ulpianën. Në atë takim do të vendoset për propozimin e z.Sveçla”, ka thënë asamblisti i LDK-së Egzon Pacolli. 

Debati për projektin “Ulpiana 2030 Legacy” kështu mbetet i hapur, ndërsa qëndrimi i banorëve dhe vendimmarrja institucionale pritet të jenë përcaktues për të ardhmen e tij.