Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

OKB-ja paralajmëron përkeqësim të krizës së urisë në 16 rajone në botë

kriza e urise

Uria në botë pritet të përkeqësohet ndjeshëm gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, ndërsa disa rajone të Afrikës rrezikojnë të përballen me kriza të rënda urie.

Kështu paralajmërojnë dy agjenci të Kombeve të Bashkuara, duke theksuar se shkurtimi i ndihmave humanitare po i vështirëson përpjekjet për të parandaluar një katastrofë.

Sipas raportit të përbashkët të Organizatës së OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) dhe Programit Botëror të Ushqimit (WFP), gjithsej 16 zona në botë pritet të përballen me përkeqësim të gjendjes ushqimore nga dhjetori i vitit 2026 deri në maj të vitit 2027.

Rreziku më i madh paraqitet në Sudan, Sudanin Jugor, Somali, veriun e Nigerisë dhe Jemen. Këto vende po përballen me kriza të rënda të shkaktuara nga konfliktet e armatosura, zhvendosja e popullsisë, vështirësitë ekonomike dhe kushtet ekstreme të motit, raporton Reuters.

Numri i zonave të prekura është rritur nga 13, sa ishin në raportin e publikuar në qershor, në 16. Listës i janë shtuar Çadi, Uganda dhe disa pjesë të Afrikës Jugore dhe Amerikës Qendrore, ndërsa Libani është larguar prej saj.

Edhe OKB-ja paralajmëron për rritje të dhunës ndaj grave dhe vajzave në Gazë Botë OKB-ja paralajmëron për rritje të dhunës ndaj grave dhe vajzave në Gazë

Agjencitë e OKB-së paralajmërojnë se pakësimi i fondeve për ndihma humanitare po dobëson përpjekjet për të parandaluar një katastrofë.

Sipas Conor Elliottit, zyrtar i lartë në zyrën e FAO-s për emergjenca dhe qëndrueshmëri, ndihmat për pesë vendet me rrezikun më të madh të urisë kanë rënë për dy të tretat nga viti 2022 deri në vitin 2025.

Ai tha se shkurtimet po pengojnë edhe mbledhjen e të dhënave të nevojshme për të vlerësuar përmasat e krizës.

Raporti thekson se konfliktet dhe dhuna janë shkaktarët kryesorë të urisë në 12 nga 16 zonat e identifikuara. Ndërkohë, rritja e çmimeve të ushqimit, energjisë dhe transportit po ua vështirëson gjithnjë e më shumë njerëzve sigurimin e ushqimit të përditshëm.

Situatën mund ta përkeqësojë edhe fenomeni klimatik El Nino, i cili pritet të sjellë thatësira dhe temperatura ekstreme në Afrikën Jugore dhe disa pjesë të Amerikës Qendrore, si dhe përmbytje të rënda në zona të Afrikës Lindore.

Në Sudan, rreziku i një krize të rëndë urie mbetet i lartë në 13 zona të Darfurit Verior dhe Kordofanit Jugor deri në janar të vitit 2027. Luftimet po pengojnë prodhimin e ushqimit, funksionimin e tregjeve dhe shpërndarjen e ndihmave humanitare.

Edhe OKB: El Nino mund ta përkeqësojë krizën klimatike globale Botë OKB: El Nino mund ta përkeqësojë krizën klimatike globale

Me rrezik të ngjashëm përballen edhe personat e zhvendosur në rajonin e Baidoas në Somali, si dhe banorët e disa pjesëve të Sudanit të Jugut, ku dhuna në rritje po e përkeqëson edhe më tej gjendjen humanitare.

Ndër vendet dhe territoret e tjera që raporti i klasifikon si zona me shqetësim shumë të lartë janë Afganistani, Haiti, Republika Demokratike e Kongos dhe Gaza.