Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Reagime të shumta pas përleshjeve në futbollin evropian

incidente

Përleshjet e shumta e kanë përfshirë futbollin evropian të enjten mbrëma, ndërsa presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka reaguar për incidentin në ndeshjen e Marseilles në shtëpi ndaj Levski Sofjës.

Kishte incidente edhe në ndeshjet mes Beshiktashit të Turqisë dhe Hapoel Beer Shevas së Izraelit në Gjeorgji dhe në barazimin 1:1 të Sunderlandit në shtëpi ndaj Jagiellonia Bialystokut të Polonisë.

Në Marseille, në “Stade Velodrome”, ka pasur shumë incidente në tribuna, ku janë hedhur edhe mjete piroteknike mes tifozëve të të dyja skuadrave.

Dhjetë minuta pa nisur ndeshja, disa tifozë të Marseilles kanë ndjekur grupin e tifozëve të Levski Sofjës.

Ata hynë me forcë në tribunën ku ishin vendosur afro 500 tifozë mysafirë të skuadrës kampione të Bullgarisë.

Edhe Beshiktashi reagon për incidentin në Gjerogji, përmend Erdoganin Futboll Beshiktashi reagon për incidentin në Gjerogji, përmend Erdoganin

“Pesë persona janë dërguar në spital me lëndime në sy, trauma kokë dhe lëndime të rënda në shpatulla”, ka njoftuar prefektura e Policisë së Marsejës. “Gjashtë të tjerë janë trajtuar për lëndime të tjera”.

Macroni foli me kryeministrin e Bullgarisë, Rumen Radev, për këto incidente, ndërsa presidenti francez i dënoi “me forcën më të madhe aktet e dhunës, të cilat nuk kanë vend në sport apo në hapësirën publike”, dhe e njoftoi atë se “këto akte nuk do të kalojnë pa dënime”.

Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, Radevi e ka falënderuar Macronin për përfshirjen personale pas “sulmit mbi qytetarët bullgarë” dhe ndihmën mjekësore për viktimat.

Presidentja e Bullgarisë, Iliana Iotova, ka thënë në rrjetet sociale se ka mbetur e “shokuar” pasi i pa pamjet e incidentit.

“Sulmet ndaj tifozëve bullgarë e përdhosin njërën prej lojërave më të mëdha që i mbledhin miliona njerëz së bashku në të gjithë botën”, shtoi ajo.

“Të gjithë duhet të jenë në gjendje ta përkrahin skuadrën pa pasur frikë për sigurinë e tyre”.

Klubi i Ligue 1, Marseille, ka thënë se është “duke punuar për t’i kuptuar rrethanat e sakta të incidenteve”.

Burime brenda Policisë kanë thënë se të gjithë të lënduarit ishin bullgarë dhe se “nuk ka informata deri tani nëse ka të arrestuar”.

Personeli i sigurimit ka arritur që ta kthejë qetësinë dhe e bëri të mundur nisjen e ndeshjes në kohë, edhe pse më pas ka pasur hedhje të mjeteve piroteknike të tifozëve të të dyja ekipeve, veçanërisht gjatë pushimit në pjesën e parë të ndeshjes që Marseille e fitoi 1:0.

“Është episod për të ardhur keq. Këto incidente janë të papranueshme në futboll”, ka thënë trajneri i Levski Sofjës, Julio Velazquez.

Trajneri i Marseilles, Bruno Genesio, shtoi se “jemi duke jetuar në kohë të dhunshme në shoqëri, dhe kjo është vërtet për keqardhje”.

Ndërkohë, Federata e Futbollit e Turqisë e ka dënuar fuqishëm dhe e ka quajtur “të papranueshëm” veprimin e Policisë së Gjeorgjisë ndaj tifozëve të Beshiktashit, të cilët shfaqën banere pro-Palestinës në ndeshjen e Ligës së Evropës ndaj Hapoel Beer Shevas së Izraelit.

Edhe Beshiktashi fiton ndaj Hapoelit në ndeshjen e tensionuar Futboll Beshiktashi fiton ndaj Hapoelit në ndeshjen e tensionuar

Beshiktashi ka thënë se ka bërë ankesë në Konfederatën Evropiane të Futbollit (UEFA) për përdorimin e forcës së “tepruar” nga policia gjeorgjiane.

Ndeshja u zhvendos nga Stambolli në Batumi të Gjeorgjisë për arsye sigurie, por u desh të ndërpritej në minutën e 25-të, pas përleshjeve ku u përfshinë tifozët e Beshiktashit dhe Policia vendëse.

Zyrtarët dhe lojtarët e të dyja skuadrave u larguan nga fusha, por ndeshja nisi sërish pas 30 minutave.

Beshiktashi fitoi 2:1.

“I dënojmë ashpër qëndrimet, sjelljet dhe veprimet në drejtim të tifozëve të Beshiktashit brenda dhe jashtë stadiumit gjatë ndeshjes së Ligës së Evropës”, thuhet në njoftimin e Federatës turke të Futbollit.

Mediumi “NTV” i Turqisë ka raportuar se policia gjeorgjiane ka shkuar te tifozët dhe ka përdorur sprej në drejtim të tifozëve të Beshiktashit.

Në raportim shtohej se ka pasur thirrje kundër Izraelit nga tifozët turq dhe se lojtarët e Beshiktashit e drejtori i futbollit, Onder Ozen, ka folur me përkrahësit duke u munduar ta qetësojnë situatën para se të niste ndeshja sërish.

Hakan Fidan, Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, ka folur me homologun e tij gjeorgjian, Maka Botchorishvili, për këtë incident.

“Të gjithë hapat e nevojshëm janë marrë për sigurinë e qytetarëve tanë dhe për mbrojtjen e të drejtave të tyre”, ka thënë një burim brenda Ministrisë së Jashtme të Turqisë.

Incidente ka pasur edhe në Sunderland pasi tifozët e Jagiellonia Bialystokut u gjetën në hapësirën e “Stadium of Light” me tifozët nikoqirë, pavarësisht se UEFA i kishte dënuar tifozët mysafirë në ndeshjen e Ligës së Evropës.

Policia dhe sigurimi i stadiumit janë munduar që ta qetësojnë situatën e cila ndodhi në fillim të ndeshjes.

Edhe Përleshje pas ndeshjes në Lyon, Guendouzi provokon dhe sulmohet Futboll Përleshje pas ndeshjes në Lyon, Guendouzi provokon dhe sulmohet

“Para ndeshjes, klubi kishte marrë masat e nevojshme për këtë dënim dhe ka qenë në komunikim të rregullt me tifozët tanë, Jagiellonia Bialystokun dhe UEFA-n”, ka thënë Sunderlandi në komunikatë.

“Për fat të keq, Jagiellonia Bialystoku ka dështuar në angazhim dhe bashkëpunim për këtë çështje. Jemi të dëshpëruar që këto masa dhe komunikime janë shpërfillur nga disa tifozë mysafirë dhe ne do t’i rishqyrtojmë rrethanat që lidhen me hyrjen e tyre në stadium”.