Pos Federatës së Futbollit të Kosovës, UEFA ka dënuar edhe disa federata të tjera nacionale të futbollit për shkeljet e bëra në ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve.
Janë dënuar Federata e Futbollit e Anglisë, Federata e Bosnjë-Hercegovinës, e Rumanisë dhe e Polonisë.
Në Angli kanë shkruar të gjitha mediumet e mëdha për dënimin prej 15 mijë eurove ndaj federatës angleze. Dënimi u dha për shkeljet e bëra nga tifozët anglezë në ndeshjen Spanjë – Angli, të zhvilluar më 15 nëntor në Madrid.
BBC ka shkruar se Anglia është gjobitur “për thirrjet anti-katolike të tifozëve në Spanjë”.
Pos me 15 mijë euro, Anglia është dënuar edhe me një dënim me kusht për pjesëmarrjen e tifozëve të saj në ndeshjet në udhëtim. BBC ka saktësuar se akuza për “sjellje raciste ose diskriminuese” lidhet me thirrjet që u konsideruan si anti-katolike dhe anti-irlandeze.
Edhe
UEFA sqaron për KOHËN pse e dha dënimin më të rëndë për Kosovën
“Ne nuk do t’i tolerojmë këto thirrje të papranueshme dhe thellësisht fyese. Do të bashkëpunojmë me policinë, e cila është e pranimshme në të gjitha ndeshjet e Anglisë si në shtëpi ashtu edhe në udhëtim, për të identifikuar autorët dhe për të ndërmarrë masat e nevojshme”, ka thënë një zëdhënës i federatës angleze për BBC.
Bosnjë-Hercegovina është dënuar me 45 mijë euro për shkeljet e bëra prej tifozëve të saj në ndeshjen ndaj Suedisë në Stokholm.
Boshnjakët janë dënuar me 40 mijë euro për ndezjen e mjeteve piroteknike dhe hedhje të gjësendeve dhe 5000 euro të tjera për dëmet e shkaktuara në stadium. Po ashtu nuk do të shiten bileta nga federata boshnjake për tifozët e saj për ndeshjen e ardhshme garuese të Bosnjë-Hercegovinës në udhëtim.
Ndërkohë Rumania dhe Polonia janë dënuar për të njëjtën ndeshje, përkatësisht për atë të zhvilluar në Rumani.
Rumanisë i është aktivizuar një dënim me kusht për mbyllje të pjesërishme të stadiumit, ndërsa i është caktuar gjobë prej plot 92 mijë e 750 euro për shkelje të shumta si sjellje raciste, bllokimin e rrugëve në stadium, transmetim të mesazhit të papërshtatshëm për ngjarje sportive, për përdorim të mjeteve piroteknike, për hedhje të gjësendeve dhe sjellje të papërshtatshme të ekipit.
Edhe
UEFA e dënon rëndë Kosovën
Për të njëjtën ndeshje polakët janë dënuar me 20 mijë euro dhe dënim me kusht të shitjes së biletave për ndeshjen e ardhshme të Polonisë në udhëtim. Polonia është dënuar për “trazira të shkaktuara nga ana e tifozëve”.
Federata e Futbollit e Kosovës nuk është deklaruar lidhur me dënimin e fundit nga UEFA, që ka të bëjë me ndeshjen ndaj Izraelit. KOHA është në pritje të një përgjigjeje nga Federatat e Futbollit e Kosovës.