Komisioni Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale, në lidhje me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje sot do të vazhdojë me intervistimin e dëshmitarëve.
Sipas planit të Komisionit sot do të intervistohen drejtoresha e Mirëqenies Sociale në Komunën e Pejës, Albulena Mujaj – Bajraktaraj, zyrtarja për Barazi Gjinore në Komunën e Pejës, Samka Drançolli dhe Drejtor i Departamentit për politika sociale në Ministrinë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës.
Arlinda Zekaj, 49-vjeçare, u vra më 25 tetor dhe si i dyshuar për vrasje është arrestuar ish-kunati i saj, Albert Sylaj. Ndërkohë që ish-bashkëshorti i Zekajt, Jeton Sylaj, ditën e vrasjes ishte ndaluar nga organet e rendit pasi Zekaj e kishte denoncuar për mosrespektim të urdhrit mbrojtës. Ajo vazhdimisht kishte alarmuar për rrezikun për jetë që i kanosej.
Mujaj gjatë intervistimit: Ngatërrohet roli i QPS-së me atë të Drejtorisë komunale për Mirëqenie
Drejtoresha e Mirëqenies Sociale në Komunën e Pejës, Albulena Mujaj – Bajraktaraj gjatë intervistimit në Komisioni Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale, në lidhje me vrasjen e Arlinda Zekajt, ka thënë se ky rast dëshmon se qytetarët e ngatërrojnë rolin e Qendrës për Punë Sociale (QPS) dhe Drejtorisë për Mirëqenie Sociale në Komunë.
Ajo ka thënë se është linçuar padrejtësisht dhe se roli i saj është të hartojë politika për zhvillim.
“Në raport me ushtrimin e kompetencave me QPS, jam e obliguar të krijoj kushte në sigurimin e kapaciteteve. Kemi ndërtuar objektin e ri për QPS, që është njëri ndër objektet më të mira në nivel vendi … Rasti i fundit e ka vërtetu që qytetarët e ngatërrojnë rolin e QPS-së dhe Drejtorisë për Mirëqenie Sociale”, është shprehur ajo gjatë intervistimit.