Gratë përbëjnë rreth dy të tretat e rasteve të diagnostikuara me sëmundjen e Alzheimerit. Sipas neurologes Rhonda Voskuhl, një nga mënyrat më të rëndësishme për të mbrojtur shëndetin e trurit dhe për të ulur rrezikun e demencës është aktiviteti i rregullt fizik, ka shkruar EatingWell.
Voskuhl, profesoreshë në Universitetin e Kalifornisë në Los Angeles (UCLA), ka shpjeguar se menopauza sjell ndryshime të rëndësishme në trurin e grave, kryesisht për shkak të rënies së nivelit të estrogjenit.
Ky hormon luan rol të rëndësishëm në shëndetin e trurit, eshtrave, zemrës dhe lëkurës. Kur niveli i tij bie ndjeshëm gjatë menopauzës, disa zona të trurit mund të pësojnë ndryshime, duke shkaktuar atë që njihet si “mjegulla e trurit”.
Kjo mund të shfaqet përmes vështirësive në kujtesën afatshkurtër, përqendrim, shpejtësinë e përpunimit të informacionit dhe ruajtjen e rrjedhës së mendimeve.
Pse është kaq i rëndësishëm aktiviteti fizik?
Sipas Voskuhl, ushtrimet fizike ndikojnë pozitivisht në shëndetin e trurit në dy mënyra: përmirësojnë qarkullimin e gjakut dhe ndihmojnë në mbrojtjen e qelizave nervore.
“Gjëja më e mirë që mund të bëni është të ushtroheni”, ka theksuar Voskuhl.
Ajo ka shpjeguar se aktiviteti fizik ndihmon në uljen e problemeve kardiovaskulare, si ngushtimi i enëve të gjakut, duke siguruar furnizim më të mirë të trurit me gjak.
Përveç kësaj, gjatë aktivitetit fizik truri dhe muskujt prodhojnë një proteinë të quajtur BDNF, e cila ndihmon në mbrojtjen e trurit dhe mbështet funksionet njohëse, përfshirë kujtesën dhe të menduarit.
Sa aktivitet fizik rekomandohet?
Voskuhl sugjeron një kombinim të ushtrimeve kardio dhe atyre që forcojnë muskujt:
30 minuta ushtrime kardio, tri herë në javë, si ecje e shpejtë, vrap, not ose biçikletë.
30 minuta ushtrime force, si ngritja e peshave, për të ndihmuar në ruajtjen e shëndetit të muskujve dhe kockave.
Edhe truri ka nevojë për ushtrime
Përveç aktivitetit fizik, Voskuhl rekomandon edhe ushtrime që sfidojnë trurin. Mësimi i gjërave të reja, aktivitetet që kërkojnë përqendrim dhe ushtrimet e kujtesës mund të ndihmojnë në ruajtjen e aftësive njohëse.
Ushqyerja dhe jeta sociale kanë gjithashtu rëndësi
Një tjetër faktor i rëndësishëm është ushqyerja. Voskuhl rekomandon dietën mesdhetare, e cila përfshin fruta, perime, drithëra integrale, vaj ulliri, peshk dhe ushqime të pasura me fibra e antioksidantë.
Gjithashtu, dieta MIND, e cila kombinon elemente të dietës mesdhetare me dietën DASH, lidhet me mbështetjen e shëndetit të trurit dhe të enëve të gjakut.
Ajo këshillon gjithashtu që gratë të ruajnë kontaktet me miqtë dhe familjen, të përfshihen në aktivitete sociale dhe të mos heqin dorë nga mësimi i gjërave të reja.