Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

S’lejohen as tifozë gjermanë në Beograd

Gjermania

Ndeshja ndërmjet Serbisë dhe Gjermanisë në Beograd më 13 nëntor, do të luhet pa praninë e shikuesve.

UEFA në fillim të muajit e dënoi Federatën e Futbollit të Serbisë për shkelje të shumta në ndeshjet e kaluara të Ligës së Kombeve. Ndër të tjera nga huliganët serbë ishte shpalosur edhe një baner në përkrahje të kriminelit Ratko Mladiq.

Shkeljet e Federatës së Futbollit të Serbisë u evidentuan në ndeshjen me Greqinë dhe dy ndeshjet me Holandën.

Serbia u dënua që ndeshjen e ardhshme, ndaj Gjermanisë, ta luajë pa shikues. Por kishte shpresë se do të lejohen fëmijët në stadium dhe 2000 tifozë gjermanë. Megjithatë, Federata e Futbollit e Gjermanisë, ka bërë të ditur se nuk do të lejohet asnjë shikues në tribuna për ndeshjen ndaj Serbisë. “Bild” ka publikuar letrën e Federatës së Futbollit të Gjermanisë drejtuar shikuesve.

“Ju aplikuat për bileta për ndeshjen e kombëtares sonë kundër Serbisë në udhëtim më 13 nëntor 2026. Fatkeqësisht, sot duhet të japim disa lajme zhgënjyese. Ndalimi i spektatorëve i vendosur nga UEFA për Federatën Serbe të Futbollit tani është ligjërisht i detyrueshëm. Kjo do të thotë që ndeshja do të zhvillohet pa shikues dhe nuk do të lejohen tifozë gjermanë. Prandaj, për fat të keq nuk është e mundur të ndahen biletat e kërkuara. Ne ishim në kontakt të ngushtë me UEFA-n dhe Federatën Serbe të Futbollit dhe kishim shpresuar për lajme më të mira për ju”, shkruan në letrën e Federatës, e cila u publikua nga “Bild” të enjten. “Na vjen keq shprehimisht për pasojat që rezultuan për tifozët gjermanë. Jemi të vetëdijshëm se shumë prej jush kanë rezervuar tashmë fluturime, akomodim dhe rregullime të tjera udhëtimi dhe po përballeni me sfida organizative pa asnjë faj tuajin për shkak të ndalimit të shikuesve”.

Për shkeljet në ndeshjet ndaj Greqisë dhe Holandës, federata serbe do të paguajë gjobë gjithsej 129 mijë e 500 euro.