Qindra mijëra amerikanë kanë mbetur pa energji elektrike, pasi stuhi të fuqishme goditën të dy brigjet e Shteteve të Bashkuara gjatë festës së Falënderimeve.
Të enjten, rajonet lindore të vendit u përballën me një stuhi të fuqishme, që u shoqërua me erëra të forta, reshje intensive shiu dhe përmbytje në zonat bregdetare. Sipas faqes monitoruese Poweroutage.us, Pensilvania ishte shteti më i prekur nga ndërprerjet e energjisë elektrike në orët e para të së premtes, raporton BBC.
Parashikimet meteorologjike tregojnë se kushtet atmosferike pritet të përmirësohen, megjithatë Shërbimi Kombëtar i Motit në SHBA paralajmëron se rikthimi i plotë i kushteve normale do të kërkojë ende kohë.
Problemet janë ndier edhe në trafikun ajror, ku të premten janë raportuar qindra vonesa dhe anulime të tjera fluturimesh. Kjo ditë është ndër më të ngarkuarat për udhëtime, për shkak të lëvizjeve të shumta gjatë periudhës së festave.
Sipas të dhënave të faqes FlightAware, vetëm gjatë së enjtes janë regjistruar më shumë se 2.500 fluturime të vonuara brenda, drejt ose nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa mbi 450 të tjera janë anuluar.