Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Kosova “përfaqësohet” në Evropianin Shqipëri – Serbi

Kosova “përfaqësohet” në Evropianin Shqipëri – Serbi

Të enjten u tërhoq shorti për Evropianin U21 që mbahet vitin e ardhshëm.

Kosova nuk u kualifikua dhe rrjedhimisht nuk ishte pjesë e shortit. Por Kosova do t’i ketë “përfaqësuesit” e saj në Evropianin që mbahet në Shqipëri dhe Serbi.

Në grumbullimin e fundit të Shqipërisë U21 për ndeshjet miqësore të këtij muaji ndaj Luksemburgut dhe Spanjës, ishin të ftuar katër lojtarë me të kaluar te grupmoshat e ndryshme të Kosovës. Omer Bajraktari, Etnik Brruti, Luan Simnica, Ermir Rashica ishin së fundmi pjesë e Shpresave të Shqipërisë, ndërsa numër të madh të lojtarëve që janë zhvilluar në Kosovë ose kanë përfaqësuar Kosovën në grupmosha të ndryshme, ka pasur në të kaluarën. Deri para publikimit të listës përfundimtare për ndeshjet e Evropianit të përbashkët Shqipëri-Serbi, mund të ketë edhe disa lojtarë që kanë pasur ose kanë të kaluar te Kosova.

Në mars dhe maj Shqipëria do t’i ketë edhe dy grumbullime, ndërsa në qershor i nis ndeshjet e fazës së grupeve.

“Për mua personalisht, është një mundësi shumë e madhe dhe një motivim i veçantë. Evropiani është një skenë ku çdo futbollist dëshiron të jetë dhe ku ke mundësinë të tregosh cilësitë e tua përballë kundërshtarëve të nivelit të lartë. Do të jetë një eksperiencë shumë e vlefshme për karrierën time, por njëkohësisht edhe një përgjegjësi e madhe. Dua ta shfrytëzoj këtë mundësi në maksimum, të jap gjithçka për kombëtaren dhe të tregoj se çfarë mund të bëj në një turne kaq të rëndësishëm”, ka thënë Rashica për KOHËN.

Rashica i Kharkivit ukrainas shënoi një gol në gjashtë ndeshje për Kosovën U21, ndërsa Shqipërisë U21 iu bashkua në vitin 2023, ku ka gjashtë gola në 18 ndeshje.

Mbi dhjetë ndeshje për Shqipërinë U21 i ka edhe Brruti.

Brruti luan për Hajdukun e Splitit, ndërsa ka luajtur në të kaluarën për Kosovën U21 dhe U19. Për Shqipërinë U21 i ka katër gola në 13 ndeshje. Shqipërisë iu bashkua në vitin 2025.

Simnica i Lokerenit belg e luajti një ndeshje për Kosovën U21 para se të largohej në drejtim të Shqipërisë U21. Për Shpresat e Shqipërisë i ka pesë paraqitje nga viti i kaluar.

Bajraktari i Malishevës, ka luajtur tri ndeshje deri më tani prej se iu bashkua këtë vit Shqipërisë U21. 19-vjeçari i ka katër paraqitje për Kosovën U19.

“Të qenit pjesë e Kombëtares U21 të Shqipërisë është një hap shumë i rëndësishëm për mua. Është një mundësi e madhe për t’u zhvilluar, për të fituar përvojë në nivel ndërkombëtar dhe për t’u dëshmuar. Besoj se kjo përvojë do të më ndihmojë shumë për hapat e ardhshëm në karrierën time. Megjithatë, jam i fokusuar të punoj çdo ditë, të përmirësohem dhe të shfrytëzoj çdo mundësi që më jepet”, është shprehur Bajraktari.

Bajraktari e Rashica kanë komentuar shortin. Të dy futbollistët premtojnë maksimumin për Shqipërinë në Evropianin deri në 21 vjet.

Shorti e përcaktoi në grup të vështirë Shqipërinë. Evropiani U21 mbahet prej 16 qershorit deri më 3 korrik të vitit të ardhshëm.

Shqipëria ka rënë në Grupin B me Spanjën, Italinë dhe Finlandën. Finlanda ishte në grup me Kosovën U21, në kualifikimet e rregullta. E përfundoi Grupin A me 23 pikë në vendin e dytë.

Ndeshjet e këtij grupi do të zhvillohen në Tiranë dhe Elbasan. Ndërsa ato të Grupit D në Tiranë e Shkodër.

“Mendoj që është një grup mjaft i fortë dhe interesant. Spanja dhe Italia janë kombëtare me shumë cilësi dhe eksperiencë, ndërsa Finlanda është gjithashtu një kundërshtar që duhet respektuar. Ne do të hyjmë në çdo ndeshje me maksimumin, me shumë përkushtim dhe besim në forcat tona. E dimë që na presin ndeshje të vështira, por besoj se kemi mundësi të tregojmë vlerat tona dhe të bëjmë paraqitje të mira”, thotë Rashica.

Bajraktari premton po ashtu maksimumin.

“Ne do të mundohemi të japim maksimumin dhe ta përfaqësojmë vendin në mënyrën më të mirë të mundshme”, theksoi Bajraktari.

Grupi A do të organizohet në Beograd dhe Leskovc të Serbisë, ndërsa Grupi C në Baçka Topola dhe Loznicë të Serbisë.

Në Grupin A, Serbia do të luajë ndaj Anglisë që i ka fituar dy edicionet e fundit. Në këtë grup janë edhe Franca dhe Polonia. Franca është një herë fituese e “Euro U21”, në vitin 1988.

Dy çerekfinale do të organizohen në Shqipëri e dy të tjera në Serbi. Gjysmëfinalet janë në Tiranë e Beograd. Finalja luhet në Tiranë, ndërsa ndeshja për vend të tretë në Baçka Topola.

Kosova U21 u rendit e katërta në kualifikime. Organizimi i përbashkët i Evropianit  Shqipëri – Serbi ngjalli reagime të shumta. U kundërshtua ashpër, sidomos në Kosovë.