Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Zelensky kritikon miqësinë “e çuditshme” mes Trumpit dhe Putinit

Volodymyr Zelensky

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ka shprehur pakënaqësi të thellë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), duke kritikuar presidentin Donald Trump për cilësimin që ia bëri presidentit rus Vladimir Putin, si “miku im”. 

Në një intervistë për BBC-në, në zyrën e tij në qendër të Kievit, presidenti i Ukrainës u ankua se SHBA-ja nuk po ushtron presion të mjaftueshëm ndaj Rusisë në negociatat për paqe. Ai e cilësoi si “të çuditshme” publikimin nga Trump të një fotografie ku shihet duke përqafuar Putinin.

“Sigurisht, kjo është në dorën e presidentit të Shteteve të Bashkuara, por... është e çuditshme”, tha Zelensky në gjuhën angleze.

“Ai është agresor dhe vrasës... Ai nuk mund të jetë mik. Thjesht nuk mundet”, tha ai, duke shtuar se kjo do të ishte njësoj sikur dikush të thoshte se ishte mik me Adolf Hitlerin gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Që nga përplasja e tensionuar me Trumpin në Zyrën Ovale në vitin 2025, Zelensky ka qenë i kujdesshëm në mënyrën se si i menaxhon marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.

Dy të dërguarit e Trumpit po përpiqen të negociojnë një marrëveshje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës, me qëllim për t'i dhënë fund humbjeve të mëdha të jetëve njerëzore. Megjithatë, ata shpesh duket se janë më në një linjë me qëndrimin e Moskës sesa me atë të Kievit.

Raundi i fundit i bisedimeve për paqe, i ndërmjetësuar në Abu Dhabi në fillim të këtij muaji, nuk solli ndonjë përparim të dukshëm.

“Sa më shumë që dimë, aq më shumë probleme”, tha Zelensky duke folur për negociatat.

Ai tha se bisedimet pritet të rifillojnë në dhjetor.