Këngëtarja Celine Dion ka ndarë emocionet e saj pas rikthimit në skenë në Paris, duke e cilësuar këtë vit si një periudhë për të cilën ndien mirënjohje të jashtëzakonshme, ka shkruar FemaleFirst.
58-vjeçja iu rikthye koncerteve në muajin shtator, pasi i kishte munguar skenës për 6 vjet. Ajo i ndërpreu paraqitjet skenike pasi u diagnostikua me sindromën e personit të ngurtë, një çrregullim i rrallë neurologjik autoimun që shkakton ngurtësim të muskujve dhe spazma.
Në një postim në Instagram, me rastin e Ditës së Falënderimeve, interpretuesja e hitit “My Heart Will Go On” shprehu mirënjohjen për familjen dhe fansat që nuk reshtën së besuari te ajo.
“Këtë Ditë të Falënderimeve, zemra ime është e mbushur me mirënjohje. Për dashurinë e familjes sime, mbështetjen e palëkundur të fansave dhe dhuratën e jashtëzakonshme të rikthimit në skenë këtë vit. Nuk ka fjalë të mjaftueshme për të shprehur sa mirënjohëse jam”, ka shkruar ajo.
Dion ka falënderuar gjithashtu ekipin mjekësor, bashkëpunëtorët e saj dhe të gjithë personat që kontribuuan për realizimin e shfaqjeve.
“Rikthimi në skenë pas kaq shumë sfidash u bë i mundur falë një rrethi të jashtëzakonshëm njerëzish: ekipit tim mjekësor, ekipit personal, njerëzve të mrekullueshëm që e bënë shfaqjen realitet dhe shumë të tjerëve në mbarë botën, përpjekjet e të cilëve, të mëdha apo të vogla, e bënë të mundur këtë moment. Secilit prej jush, familjes sime dhe fansave që nuk reshtën kurrë së besuari tek unë, ju them faleminderit. Do t'ju jem gjithmonë mirënjohëse”, ka shtuar këngëtarja.
Para rikthimit në Paris, Dion kishte folur për mbështetjen që ka marrë gjatë viteve të vështira dhe emocionet që ndiente përpara takimit sërish me publikun.
“Gjatë viteve të fundit, çdo ditë kam ndier lutjet, mbështetjen, mirësinë dhe dashurinë tuaj. Më keni ndihmuar në mënyra që nuk mund t’i përshkruaj me fjalë dhe jam vërtet me fat që ju kam pranë”, ishte shprehur ajo.
Këngëtarja e kishte cilësuar mundësinë për t’u rikthyer në skenë si dhuratën më të bukur të ditëlindjes.
“Po marr dhuratën më të mirë të jetës sime: mundësinë për t’ju parë dhe për të kënduar sërish për ju në Paris, duke filluar nga shtatori”, kishte deklaruar ajo.
Megjithatë, Dion ka pranuar se, pavarësisht entuziazmit, kishte edhe pak emocione dhe pasiguri për rikthimin.
“Ndihem mirë, jam e fortë dhe e emocionuar. Sigurisht, jam edhe pak nervoze, por mbi të gjitha jam mirënjohëse ndaj të gjithëve ju. Ju dua dhe mezi pres t’ju shoh së shpejti!”, kishte përfunduar ajo.