Marc Marquez, piloti që rishkroi historinë e MotoGP, po i jep fund karrierës. Kampioni në fuqi dhe rekordmeni spanjoll ka vendosur që Çmimi i Madh i Valencias të jetë gara e tij e fundit, vetëm një javë pasi siguroi titullin e tetë në kategorinë elitare të motoçiklizmit.
Vendimi është konfirmuar zyrtarisht nga skuderia Ducati përmes një njoftimi në Instagram. Sipas ekipit, Marquez, 33 vjeç, do të japë më shumë detaje në një konferencë për media në pistën “Ricardo Tormo”.
Marquez e dha sinjalin e parë për pensionim që në fillim të provave të lira në Valencia. Para kamerave, ai ngriti disa kartona me mesazhe falënderimi për njerëzit që kanë qenë pjesë e rrugëtimit të tij dhe konfirmoi se kjo do të jetë gara e fundit në MotoGP.
“Ne shkruam historinë”, shkroi Marquez, raporton GPblog.

Koha për t’u larguar nuk mund të ishte më e përshtatshme. Vetëm një javë më parë, në Portimao, ai fitoi titullin e tetë në kategorinë elitare, duke barazuar rekordin e legjendës Giacomo Agostini dhe duke lënë pas Valentino Rossin, i cili ka shtatë tituj.
Edhe
Marc Marquez shkruan histori në MotoGP
Në total, Marquez ka fituar 10 tituj botërorë në të gjitha kategoritë.
Ai e fitoi titullin e MotoGP që në sezonin e tij debutues, në vitin 2013, duke u bërë kampioni më i ri në historinë e kategorisë elitare. 12 vjet më vonë, ai u bë edhe kampioni më i vjetër i epokës së MotoGP, duke dëshmuar jetëgjatësinë në majën e këtij sporti.
Megjithatë, karriera e Marquezit nuk është ndërtuar vetëm mbi trofe. Pas aksidentit të rëndë në Jerez në vitin 2020 dhe disa operacioneve në shpatull, shumëkush e konsideroi karrierën e tij të përfunduar. Por ai u rikthye me Ducati dhe arriti të ngjitej sërish në majë.
Pikërisht ky rikthim është përmendur nga shumë njerëz si një nga argumentet se Marquez është piloti më i madh i të gjitha kohërave.
Edhe
Aguirre largohet krenar, mbështet selektorin e ardhshëm të Meksikës
Vendimi për t’u tërhequr ka befasuar si tifozët, ashtu edhe ekipin. Marquezi kishte kontratë të nënshkruar me Ducatin për sezonet 2027 dhe 2028, ndërsa drejtori i ekipit, Davide Tardozzi, vetëm javën e kaluar kishte deklaruar se ishte “100 për qind” i bindur se spanjolli do të vazhdonte.
VIDEO: