Afrimi i zgjedhjeve të 7 qershorit ka nxjerrë në pah një përplasje të re politike – atë të kampit të ish-presidentes Vjosa Osmani me ish-kolegët e tyre në Guxo dhe Vetëvendosje.
Ish-presidentja Osmani pritet të garojë në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ajo ka marrë me vete disa ish-anëtarë të partisë Guxo, që si subjekt të premten ka zyrtarizuar edhe një koalicion me Vetëvendosjen.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoTë enjten, Osmani ka zyrtarizuar ish-deputeten e Guxo-së, Jeta Statovci, ndërsa të premten edhe Albena Reshitajn. Në kampin e saj, mbështetje publike i ka dhënë Haxhi Avdyli, ndërsa pjesë e listës së LDK-së do të jetë edhe këshilltari i Osmanit, Burim Meta, po ashtu ish-deputet i koalicionit VV-Guxo.
Pas anëtarësimeve të fundit, të premten reagoi sekretarja e partisë Guxo, Triera Kasumi-Berisha. Ajo ka thënë se qytetari i mençur do t’i mbajë mend jo vetëm emrat, por edhe të bëmat e personave që u larguan ditëve të fundit për t’iu bashkuar Osmanit. Sipas saj bëhet fjalë për “tri probleme më pak” për partinë.
“Këto largimet e pritura nga Guxo me ritmin “nga një largim në ditë”, për nga forma dhe narrativi po ngjajnë jashtëzakonisht shumë me skenarin e largimeve nga LVV në janarin e vitit 2018. Ndryshojnë emrat e protagonistëve, por jo metoda dhe qëllimi. Sidomos jo qëllimi. Për Partinë Guxo, vetëm 3 probleme më pak. Me datën 7 qershor, qytetari i mençur i kësaj Republike, jo vetëm emrat por edhe ‘’bëmat’’ do ju mbajë mend”, ka shkruar Kasumi-Berisha.
Ndaj saj reagoi Avdyli. Ai tha se nuk bëhet fjalë për “tri probleme”, por numëroi votat që kanë marrë këta tre ish-deputetë.
“Jo, 3 probleme më pak por 100 mijë e 786 vota më pak. Përndryshe, më 28 dhjetor, Jeta Statovci pati 37 mijë e 916 vota, Haxhi Avdyli 33 mijë e 562 vota dhe Albena Reshitaj me 29 mijë e 308 vota. Shihemi më 7 qershor...”
E ish-deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci, të premten komentoi rikthimin e Osmanit në listën e LDK-së. Ai akuzoi Osmanin se lufton vetëm për pozitë.
“Shihni sa interesant! LDK-ja po e paraqet Vjosa Osmanin si “rikthim në shtëpi”, por ajo po shkon me parti të vetën, me listë të ndarë dhe me kërkesë për pozitë për vete. Nuk mundesh me thënë “po kthehem në familje”, por mos me pranu me qenë pjesë e asaj familjeje. Asgjë e re. Edhe me Albinin bashkëpunimi zgjati derisa e mori pozitën që donte. Kur nuk e merr pozitën, nuk qëndron. Njëjtë po ndodh edhe sot: pozita para bashkimit, vetja para krejtve. E kur nuk e merr votën dhe pozitën që e kërkon, do ta gjeni prapë duke kërkuar votë dhe pozitë diku tjetër”, ka shkruar Bajqinovci.
Një natë më parë, në “Interaktiv” të KTV-së, Burim Meta tha se kthimi i Osmanit dhe kampit të saj në LDK është “kthim në shtëpi”. Ai tha se ky rikthim “do ta stabilizojë skenën politike”. “Ne do ta ngjallim elektoratin e fjetur të LDK-së, do të marrim elektorat nga VV-ja dhe do t’i marrim të gjithë ata që e kanë votuar VV-në për shkak të Vjosa Osmanit”, ka deklaruar ai.
Edhe ish-deputeti tjetër i VV-së, Enver Dugolli, ka kundërshtuar ata që janë larguar nga VV-ja.
“Një gjë e di me siguri: ata dhe ato që e kanë braktisur Lëvizjen Vetëvendosje dhe kauzën e saj të drejtë, as nuk kanë pasur e as nuk do të kenë të ardhme politike. Megjithatë, për një gjë mund të jenë të qetë, studiot televizive nuk do t’i lënë pa ‘punë’”, ka shkruar Dugolli në Facebook.
Guxo u themelua në nëntor 2020 nga Osmani pas largimit të saj prej LDK-së. Ajo garoi në listën me VV-në. Osmani u bë presidente më 2021 dhe partinë e saj e morën nën udhëheqje Donika Gërvalla dhe Faton Peci.
Osmanit i përfundoi mandati si presidente në prill. Ajo nuk mori mbështetjen në Kuvend edhe për një mandat të dytë. Kuvendi nuk zgjodhi as një kandidat për president. Si pasojë, Kosova do të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare – të tretat për më pak se një vit e gjysmë.