Lidhja Demokratike e Kosovës e ka lënë të hapur mundësinë për bashkëpunim me Vjosa Osmanin, pas përfundimit të mandatit të saj si presidente. Sipas kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, bashkimi me Osmanin përreth një vizioni të përbashkët politik do të ishte në dobi të Kosovës. E krah Osmanit, në këtë rreshtim të mundshëm politik janë radhitur edhe anëtarë të partisë Guxo, të cilët janë dorëhequr së fundi nga ky subjekt politik
Në Lidhjen Demokratike (LDK) e kanë lënë të hapur derën e bashkëpunimit me presidenten aktuale, Vjosa Osmani, të cilën para gati gjashtë vjetësh ky subjekt politik e pati shkarkuar nga të gjitha funksionet përbrenda partisë, përfshirë edhe nga ajo e nënkryetares.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në një përgjigje për KOHËN të enjten ka theksuar se bashkimi eventual i LDK-së me Osmanin përreth një vizioni të përbashkët do të ishte i dobishëm për Kosovën.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoI pyetur nëse për këtë do t’i bëhet ftesë zyrtare Osmanit, Abdixhiku ka thënë se për çështje specifike do të flasë vetëm pas përfundimit të mandatit të saj si presidente.
“Përderisa zonja Osmani është presidente e vendit, dhe për 25 ditët e ardhshme u bëjmë nder Republikës dhe institucionit nëse nuk e përfshijmë në çështje partiake. Pas kësaj kohe, mund të flasim me specifikisht. Pa dyshim, përbashkimi eventual në një vizion të përbashkët do të ishte i dobishëm për vendin”, ka theksuar Abdixhiku.
Pas këtij zhvillimi, analisti politik, Adrian Zeqiri, ka vlerësuar se rikthimi i Osmanit në LDK do ta rikonfiguronte skenën politike në vend, duke e rikthyer binomin Osmani-Abdixhiku dhe duke e dëmtuar Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) të kryeministrit Albin Kurti, me të cilin ajo ka shpërfaqur përçarje shkaku i moskandidimit të saj për edhe një mandat si presidente.
“Më 2020 ka pasur frymë të re politike. VV-ja pati atë koalicionin e quajtur ‘të shpresës’. Binomi Kurti-Osmani vazhdimisht ka fituar zgjedhjet dhe e kemi parë edhe vjet. Tash kemi thyerje të madhe të këtij binomi. Cilat do të jenë konsekuencat elektorale të kësaj thyerje, mbetet të shihet? Por gjithsesi shihet se ka thyerje”, ka thënë ai në emisionin “60 Minuta” të KTV-së, teksa ka shtuar se Osmani ka çuar një numër të madh të votave në LVV dhe se edhe Lista Guxo, e cila është formuar prej saj, më nuk është e neglizhueshme. “Binomi i parë ka qenë Abdixhiku-Osmani. Ajo gjenerata e re e LDK-së dhe pritej që këta të dy ta merrnin partinë nën udhëheqje. Por Kurti, me manovrim të jashtëzakonshëm politik, i pati ndarë dhe u bë binomi Kurti-Osmani. Tash duket se do të kthehemi te binomi origjinal. Abdixhiku ka ruajtur një raport me Osmanin. Mos të harrojmë ajo u zgjodh presidente vetëm falë votave të LDK-së më 2021. Dhe gjatë gjithë kësaj situate s’ka pasur sulme të ulëta. Është ruajtur një raport”.
Por Zeqiri ka vlerësuar se “LDK-ja nuk është në pozicion që t’i thotë jo Osmanit në kuptim të rezultatit të fundit” teksa ka shtuar se pret kompromise e mbase edhe koalicion më të gjerë me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Kthimi i mundshëm i Osmanit në LDK, pas përfundimit të mandatit të saj si presidente, mund të tërheqë prapa saj edhe një pjesë të partisë Guxo, anëtarë të së cilës kanë nisur dorëheqjet nga subjekti në shenjë revolte që ajo nuk është propozuar për edhe një mandat si presidente.
Të enjten është dorëhequr e gjithë dega e kësaj partie në Deçan, në shenjë zhgënjimi ndaj lidershipit të partisë Guxo, e cila “nuk ka shprehur qëndrim mbështetës ndaj Osmanit”.
“Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë të fuqishëm, të pathyeshëm dhe të palëkundur në atë që kemi besuar dhe i kemi takuar që nga dita e parë, pra frymës rugoviane, si rugovistë të guximshëm dhe të vendosur, krah presidentes znj. Vjosa Osmani, kudo që rrugët tona politike do të na çojnë së bashku”, ka theksuar Rabije Haklaj, e cila ka qenë kryetare e partisë në Deçan.
Mundësinë për t’u kthyer në LDK e ka lënë të hapur nënkryetari i Listës Guxo, Burim Meta.
“Vlerësoj që po qe se Vjosa Osmani do të kthehej me ekipin e saj në Lidhjen Demokratike, ngritja do të ishte signifikante. E unë, edhe kur kam performuar politikisht diku tjetër, ideologjikisht kam qenë në Lidhjen Demokratike të Kosovës”, ka thënë ai për KOHËN.
Nga funksionet në këtë parti është dorëhequr edhe deputeti aktual, Haxhi Avdyli. Ai ka thënë se deri në përfundim të mandatit të Kuvendit do të qëndrojë me grupin parlamentar të LVV-së për ta respektuar besimin e qytetarëve, ndërsa ka shtuar që për përcaktimin e ardhshëm politik të tij është herët të flitet.
“Tash për tash i kam fituar votat me koalicionin me Vetëvendosjen dhe do t’i qëndroj besnik votës së qytetarit, të jem pjesë aktive e grupit parlamentar të Vetëvendosjes. Për të ardhmen, çka do të prodhojë e ardhmja, është herët për të biseduar”, ka thënë Avdyli.
Nga Guxo, parti kjo që u pati themeluar nga presidentja aktuale Osmani, deri më tash kanë dhënë dorëheqje edhe funksionarë dhe anëtarë të tjerë. Për eksodin brenda subjektit politik që prej ditësh nuk i janë përgjigjur KOHËS bashkëkryetarët Donika Gërvalla dhe Faton Peci.
Guxo është themeluar nga Osmani para zgjedhjeve të shkurtit të 2021-tës, por pasi që ajo është zgjedhur presidente disa muaj më vonë, ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i partisë. Osmanit mandati si presidente i përfundon më 4 prill, ndërsa presidenti i ri do të duhej zgjedhur jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të atij paraprak.
Një ditë pasi që presidenti i ri nuk është zgjedhur në seancën e Kuvendit të mbajtur të enjten e javës së shkuar, në orë të vona, Osmani ka nxjerrë dekret për shpërndarjen e Kuvendit. Dekreti i saj është kundërshtuar nga Lëvizja Vetëvendosje në pushtet, e cila e ka çuar atë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Kjo gjykatë e ka pezulluar dekretin dhe punën e Kuvendit deri më 31 mars, në pritje të vendimit.