Alicia Kearns

Deputetja britanike kritikon BE-në: S’ka qasje të balancuar ndaj Serbisë

Alicia Kearns

Deputetja britanike, Alicia Kearns, ka kritikuar Bashkimin Evropian për heshtjen ndaj shkeljes së Marrëveshjes së Brukselit nga ana e Serbisë me formimin e një ekipi për ta luftuar pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

Një artikull i asaj marrëveshjeje thotë qartë se Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Megjithatë, Serbia ka formuar një ekip për ta kundërshtuar përpjekjen e Kosovës për anëtarësim në KiE. I pyetur për këtë çështje të premten, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, hezitoi të thoshte se Beogradi po shkel marrëveshjen. 

Mbi këtë deklaratë të Stanos, deputetja Kearns ka shkruar shkurt në Twitter se “BE-ja vazhdimisht po zgjedh të shfaqë qasje të pabalancuar kur bëhet fjalë për Serbinë”.

Kearns ka qenë zëri i parë ndërkombëtar që pati alarmuar për armatimin serb në Kosovë. Pak javë pas alarmit të saj, në Banjskë të Zveçanit ndodhi sulmi terrorist më 24 shtator, ku u vra polici Afrim Bunjaku. Ajo ka bërë thirrje në vazhdimësi për sanksionime të Serbisë.

Pas dhjetë ditësh pritet që Asambleja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës të votojë për dhënien e pëlqimit për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Për të kaluar ky vendim duhet dy të tretat e votave në këtë Asamble. Pastaj vendimin formal për të pranuar Kosovën e miratojnë ministrat e jashtëm të vendeve anëtare në takimin e tyre në muajin maj duke vendosur po ashtu me shumicën prej dy të tretave. Serbia tash thotë se do të angazhohet për të “luftuar si asnjëherë më parë për ta parandaluar këtë”.