Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

KiE e përshkruan sulmin në Banjskë si “përleshje”, kritikohet nga Kosova dhe Britania

kie

Në raportin e miratuar mbi demokracinë në Serbi, sulmi në Banjskë është quajtur përleshje. Kjo ka nxitur reagimin e nënkryetarit të Kuvendit, Ardian Gola, i cili ka marrë pjesë në seancë. Gjuha e përdorur në raport është kritikuar edhe nga anëtarja britanike e Asamblesë, Alicia Kearns. Kritika për raportin ka bërë edhe përfaqësuesja e Bosnjës

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka miratuar raportin për demokracinë në Serbi, në të cilin sulmin në Banjskë e ka cilësuar vetëm si përleshje të policisë së Kosovës me me një grup personash të armatosur serbë. 

Në të vetëm përshkruhet fakti se autorët nuk janë ndjekur.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Më 24 prill 2026, një gjykatë në Prishtinë shpalli aktgjykimin lidhur me ngjarjet në Banjskë në shtator të vitit 2023, gjatë të cilave policia u përlesh me një grup personash të armatosur serbë, duke lënë të vdekur katër persona. Gjykata dënoi dy serbë etnikë me burgim të përjetshëm dhe një të tretë me 30 vjet burg. Megjithatë, kryesit e tjerë të veprës, përfshirë Milan Radoiçiqin, një politikan dhe biznesmen i pasur i afërt me SNS-në, nuk janë ndjekur ende penalisht”, thuhet në Raportin e i AP të KiE për Demokracinë në Serbi.

Gjuha e përdorur në dokument, është kritikuar nga nënkryetari i Kuvendit, Ardian Gola, i cili ka marrë pjesë në Asamble. Sipas tij, formulimi nënvlerëson natyrën e sulmit.

“Ky sulm, zonja dhe zotërinj shpalos të vërteta të shumta të bezdisshme për demokracinë dhe sundimin e ligjit në Serbi. E para Serbia ende nuk e ka dëshmuar gatishmërinë për të ndërtuar raporte normale, veçanërisht me Kosovën dhe e dyta, në vend që të sigurojë llogaridhënie, ajo vazhdon t’i mbrojë ata që janë përgjegjës, që dëshmohet prej faktit se Radoiçiqi vazhdon të jetojë i lirë dhe i mbrojtur në Serbi. Në këtë mënyrë, Serbia është bërë shkelëse e vetë vlerave të cilat Këshilli i Evropës është themeluar për t’i mbrojtur”, ka thënë Gola. 

Kritika për gjuhën e përdorur në raport, ka shprehur edhe Alicia Kearns, deputete britanike e cila është anëtare e Asamlesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Kearns ka theksuar se Serbia i ka armatosur anëtarët e grupit që ka kryer sulmin në Banjskë, ku ka mbetur i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku. 

“Mënyra se si një Qeveri i trajton komshinjtë të tregon se si i trajton të vetët. E shohim me Rusinë e Putinit, luftë jashtë e heshtje brenda. Po e shohim të njëjtën formë në Serbi – me mbështetjen e burrave që e ndajnë Bosnjën, me strehimin e burrave që janë prapa sulmit të Banjskës – jo por me armatosjen e sulmuesve. Shikojini numrat serikë të armëve”, ka thënë Kearns.

Sulmi terrorist në Banjskë ka ndodhur më 24 shtator 2023. Një grup serbësh të uniformuar e të armatosur kanë hyrë në Kosovë dhe e kanë sulmuar atë.

Sipas prokurorisë, qëllimi i grupit terrorist ishte shkëputja e pjesës veriore për t’iu bashkangjitur Serbisë.

Për këtë rast, Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj 44 personave fizik dhe një personi juridik. Organizator i sulmit, siç është deklaruar vetë, është Milan Radoiçiq, në atë kohë nënkryetar i Listës Serbe.

Gjatë sulmit, janë vrarë tre sulmues serbë dhe tre të tjerë janë arrestuar. 

Në shkallë të parë, dy janë dënuar me burgim të përjetshëm e një me 30 vjet burgim. 

Ndërkohë, Sabina Çudiq, anëtare nga Bosnjë-Hercegovina në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ka thënë se raporti i kërkon Serbisë ta emërojë kryeprokurorin e prokurororisë së lartë për krime lufte, porse edhe kjo kërkesë, sipas saj, është pa kuptim në një vend që strehon kriminelë lufte të arratisur nga shteti që ajo përfaqëson.

“Pyetja ime për raportuesit dhe për të gjithë në këtë dhomë është sa të mundshme e shihni këtë në një vend që ende i mban kriminelët e luftës dhe i mbron ata sepse unë besoj thellësisht se Serbia duhet të jetë larg prej BE-së – po aq sa janë larg viktimat e kriminelët e luftës që i mban e i mbron prej drejtësisë prej arritjes së drejtësisë e qetësisë”, ka thënë Sabina Çudiq.

Në raport është theksuar po ashtu se normalizimi i marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën, duhet të jetë vendimtar për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Petkoviq e quan patriot serb të akuzuarin kryesor për Banjskën, Radoiçiqin

Zyrtarë serbë e kanë cilësuar organizatorin e sulmit terrorist në Banjskë si patriot. Në një postim në platformën X, drejtori i Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka marrë në mbrojtje Milan Radoiçiqin, pas akuzave që opozita ka bërë për rolin e tij për terrorin ndaj serbëve. 
Petkoviq i është referuar Radoiçiqit si “patriot serb” dhe ka thënë se ai “nuk e dëbon popullin e vet, por lufton për të me zemër e me shpirt”. 

Radoiçiq ka pranuar përgjegjësinë për organizimin dhe udhëheqjen e grupit që ka kryer sulmin terrorist në Banjskë.