Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Demokraci Plus: Në Kosovë amnistohen kompanitë që diskualifikohen për falsifikim në tenderë

Organizata Demokraci Plus ka vlerësuar se në Kosovë ka amnisti për kompanitë që janë diskualifikuar për falsifikim në procese të prokurimit.

Sipas hulumtimit me titull “Mungesa e ndjekjes penale për rastet e falsifikimit të dokumenteve publike në proceset e prokurimit publik”, që është publikuar të mërkurën, nga janari i vitit 2021 deri në nëntor të vitit 2023, për prezantim të të dhënave të rreme ose dokumenteve të falsifikuara në tenderë, janë diskualifikuar 30 kompani dhe vetëm në 7 raste janë zhvilluar hetime penale.

“Numri i operatorëve ekonomikë të diskualifikuar nuk është i lartë pasi bëhet fjalë për një periudhë pothuajse tre vjeçare. Autoritetet kontraktuese, të cilat kanë mandat të iniciojnë kërkesa për diskualifikim hezitojnë të bëjnë këtë edhe në rastet kur konfirmohen falsifikimet. Përveç kësaj, Organi Shqyrtues i Prokurimit, merr shumë kohë në publikimin e vendimeve, ku në tri rastet e fundit të diskualifikimit, i janë dashur mesatarisht 492 ditë që të vendos për kërkesat”, theksoi Ardit Dragusha, hulumtues i prokurimit publik në Demokraci Plus.

“Përveç numrit të ulët të diskualifikimit, në Kosovë ekziston edhe një amnisti penale për kompanitë të cilat përfundojnë në Listën e Zezë, ku nga 30 rastet e diskualifikimit gjatë periudhës janar 2021 - nëntor 2023, vetëm shtatë raste janë trajtuar/janë në trajtim nga Prokuroria”, deklaroi ai.

Sipas hulumtimit në Kosovë, çdo kërkesë për diskualifikim të cilën e aprovon Organi Shqyrtues i Prokurimit paraqet vepër penale, ndaj mosveprimi i autoriteteve të drejtësisë, është inkurajim për operatorët ekonomikë që të përfshihen më tej në këtë sjellje.

Edhe OpEd Lista e zezë në prokurimin publik: Jo edhe aq e zezë

Me qëllim të luftimit të kësaj forme të korrupsionit, në hulumtim “kërkohet një qasje gjithëpërfshirëse dhe prokative, me Prokurorinë që duhet të trajtojë dhe hetojë secilin rast të diskualifikimit në prokurim publik”.

Në hulumtim thuhet se nevoja për hetim penal shërben edhe si rikujtim për operatorët e tjerë ekonomikë, se nuk mund të këtë amnisti penale ndaj praktikave korruptive dhe se këto veprime ligjore do ta forcojnë integritetin e procesit të prokurimit publik në përgjithësi.