Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, ka folur për aktivitetet në kuadër të Javës së Integritetit 2025. Teksa të martën fokusi është paraparë të jetë në pikërisht rritjen e integritetit në prokurimin publik, Buleshkaj ka deklaruar se raportimet më të mëdha i kanë pikërisht në këtë fushë.
Buleshkaj në emisionin “60 Minuta” në KTV, tha se 30% e sinjalizimeve janë vetëm për shkeljet në prokurim publik dhe sipas tij kjo shifër është shumë e lartë sepse është e vetëm një viti.
“30% e sinjalizimeve kanë të bëjnë vetëm me Prokurim Publik. Qoftë pretendimet për aranzhime të ndryshme, qoftë për specifikime që e favorizojnë dikë ose për shkak të pjesëmarrjes së zyrtarëve që nuk kanë qenë të autorizuar në kontekstin e tenderëve. Këto raste jemi të detyruar t’i përcjellim të policia dhe gjyqësia sepse identifikojmë lëshime potenciale që mund të jenë vepra penale. Kemi përqindje shumë të lartë dhe bëhet fjalë për vetëm brenda një viti”, deklaroi Buleshkaj.
E teksa po bëhen dy vjet që institucioneve iu është kërkuar që të kenë një Plan të Integritetit, Buleshkaj tregoi në “60 Minuta” që tek sot Këshilli Gjyqësor e ka përfunduar atë plan. Ndërsa në mesin e 12 institucioneve që akoma nuk e kanë është edhe Universiteti i Prishtinës.
“Kemi ngritur kapacitet tona. Kemi trajnuar zyrtarët të cilët janë përgjegjës brenda institucioneve të cilët janë përcaktuar. Koordinatorë për integritet i kemi quajtur. Kanë marrë një trajnim bazik se si duhet ta hartojnë këtë dokument. Kjo përfshin të gjitha institucionet e nivelit lokal dhe nacional. Nga ky vit do të kërkojmë edhe nga ndërmarrjet publike që ta kenë një dokument të tillë. Nuk e kanë kërkesë ligjore por ju ndihmon mjaft shumë. Duhet t’i identifikojmë problemet brenda institucioneve. Çdo institucion duhet ta ketë një plan të tillë. Janë 12 institucione që nuk e kanë një plan të tillë. Universiteti i Prishtinës nuk e ka një dokument të tillë. Jemi njoftuar sot që Këshilli Gjyqësorë e ka përfunduar Planin e Integritetit, nëse nuk gabohemi është nënshkruar këto ditë. Është dy vjet vonë”, deklaroi Buleshkaj.
Sa i përket formave se si mund të bëhet korrupsioni, Buleshkaj ka deklaruar se kanë vënë re rritje të madhe të kripto-asteve, çka sipas tij janë vështirë të përcillën e mund të përdoren edhe për korrupsion.
“Krimi thuhet se është një hap përpara ndjekjes. Për këtë është tepër e rëndësishme të kemi qytetarë e zyrtarë të informuar që nëse shohin dikë që ka vullnet për t’u korruptuar, ta raportojnë. Ne kemi parë tashmë posedim gjithnjë e më të madh të kripto-aseteve, si aseteve të padukshme të cilat transferohen në mënyrë të shpejtë dhe janë vështirë të përcjellshme. Ato mund të përdoren edhe për korrupsion sepse ka lëvizje të shpejtë elektronike të resurseve”, ka deklaruar Buleshkaj.
Aktivitetet e Javës së Integritetit 2025, në ditën e dytë të saj, fokus do ta ketë Parandalimin e Korrupsionit në Prokurimin Publik. Diskutimet është paraparë të përfshijnë sfidat dhe mekanizmat praktike për rritjen e integritetit në prokurimin publik - një proces kyç, ku transparenca dhe llogaridhënia ndikojnë drejtpërdrejt në besimin e publikut.
Mosdeklarimi i pasurisë, Buleshkaj: Qindra kallëzime penale janë hudhur poshtë për shkak të vendimit të Supremes
Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Yll Buleshkaj ka deklaruar se qindra kallëzime penale për mosdeklarim të pasurisë nga zyrtarët publik, janë hudhur poshtë vetëm këtë vit nga prokuroria.
Në emisionin “60 Minuta” në KTV, Buleshkaj ka thënë se kjo po ndodhë për shkak të vendimit të Gjykatës Supreme e cila ka hequr përgjegjësinë penale ndaj zyrtarëve që nuk e deklarojnë pasurinë, e madje duke u bazuar në një legjislacion që nuk është në fuqi prej 10 vjetësh.
“E kemi pasur një vendim jashtëzakonisht të dëmshëm të GJykatës Supreme i cili ka dëmtuar seriozisht mandatin e Agjencisë Kundër Korrupsion. Këto ditë do të kemi një publikim të një hulumtimi që është bërë e që flet për dëmin qe ka bërë Gjykata Supreme. Me këtë vendim i cili është bazuar në një legjislacion i cili nuk është në fuqi që 10 vite, e kanë hequr përgjegjësinë penale nga zyrtarët për mos-deklarimin e pasurisë së fituar në mënyrë të ligjshme. Por, ligji për deklarimin e pasurisë kërkon secilën pasuri ta deklarojmë jo vetëm ato të paligjshme sepse ato është vështirë ta obligosh dikë ta deklaroj. Ligji është për transparencë dhe secila shkelje duhet ta marrë dënimin adekuat. Kemi pasur numër të madh të rasteve të hudhjes së kallëzimeve penale nga prokuroria duke u bazuar në këtë vendim të Gjykatës Supreme. Kemi qindra raste vetëm këtë vit”, deklaroi Buleshkaj.
Tutje Buleshkaj tha se me vendimin e Gjykatës Supreme, të gjithë zyrtarët që nuk e kanë deklaruar pasurinë do të lirohen dhe nuk do të dënohen as me gjobë.
“Kemi bërë disa hapa. Ne i njoftojmë së paku tri herë zyrtarin publik për obligimin e tij. Ia rikujtojmë disa herë dhe i japim mundësinë edhe për ta përmirësuar. Ka shifra jo të vogla që duhen deklaruar. Nuk ka vendbanim që ka vlerë më të vogël se 30 mijë apo 40 mijë euro. Ka aty këtu deputetë ndoshta të cilët kanë dështuar ta deklarojnë shtëpinë apo apartamentet e ndryshme për arsye të ndryshme dhe të gjithë këta lirohen nga gjyqësori. Jo vetëm që nuk dënohen me burg por nuk dënohen as me gjobë dhe lirohen që nga prokuroria”, deklaroi Buleshkaj.
Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, kishte paralajmëruar që këtë vendim të Gjykatës Supreme ta dërgoj edhe në Gjykatën Kushtetuese. Sipas vendimit të ri të Supremes mosdeklarimi i pasurisë apo deklarimi i rrejshëm i pasurisë përbën vepër penale vetëm atëherë kur kjo pasuri është përfituar në mënyrë të paligjshme.
Mirëpo në plotësim-ndryshimin e këtij ligji në vitin 2014, neni 17 ka ndryshuar krejtësisht.
Janë larguar paragrafët të cilët parashihnin që mosdeklarimi i pasurisë të konsiderohet kundërvajtje dhe janë zëvendësuar me të tjerë, përmes të cilëve obligohet Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit që të paraqesë kallëzim penal në prokurorinë kompetente ndaj zyrtarit të lartë publik, i cili shkel detyrimet e parapara me këtë ligj.